Posts

Showing posts with the label Pathos

Të lirë

Image
A e di ti çka është liria? A e di ti çka është pavarësia? Për neve që e kemi përjetuar periudhën e aparteidit serb, e dijmë fare mirë se çfarë vlere ka liria. Mbijetuam një prej periudhave më të tmerrshme, një sistem që ishte vënë pas zhdukjes së qënies sonë si të tillë.  Si arritëm t'a mbijetojmë triumfalisht këtë? Me rezistencë, sfidim të sistemit, rrebelim… Siç do të shprehej Albert Camus - mënyra e vetme për t'u ballafaquar me një botë jo të lirë është të bëhesh absolutisht aq i lirë, sa edhe vetë ekzistenca jote është një akt rrebelimi.  Pikërisht kështu, aparteidin e sfidonim me vetë ekzistencën tonë, vetëm pse ekzistonim kjo ishte një akt rrebelimi, prandaj sistemi synonte zhdukjen e qënies sonë. Urime të gjithë juve që ekzistuat - vazhdoni kështu edhe më tutje. Lavdi Zotit dhe mirënjohës atyre që sakrifikuan në mënyrë që ne sot të ekzistojmë fuqishëm!

Fantazma e komunizmit në prag të Halloweenit

Image
Edhe pse unë nuk përcjelli shumë atë që shfaqet në TV, po shoh se andej paskan fillu me shfaqë horror komunist nëpër intervista e emisione. Lenini ka qenë gjenial. Stalini hala ma i mirë. Enver Hoxha extra i mirë. Për çka janë të mirë këta? Kushdo që i ka dy fije mend, e di që Lenini është përgjegjës për ekzekutimin e mbi 100 mijë njerëzve gjatë asaj që në histori njihet si Terrori i Kuq. Stalini duke qenë hala më i mirë, ka vrarë hiç më pak se mbi 20 milion njerëz. Për Enver Hoxhën, flisni me dikë prej vëllezërve nga Shqipëria që i kanë mbijetuar regjimit të tij. Gjatë luftës së Millosheviqit në Kosovë, neve na ngushëllonin duke na thënë - asgjë nuk po vuani ju sot çka kemi kaluar ne gjatë periudhës së komunizmit të Enverit. Vrasjet, internimet, kooperativat, mjerimi… të ligat pa fund. Hija e gogolit komunist në prag të Halloweenit, që pandeh të na diktoj se si duhet të jetojmë, si të flasim, si të vishemi, si të besojmë, si të mendojmë.

T'i thërrasësh ndërgjegjës

Image
Një prej tentimeve par excellence për manipulime emocionale apo keqpërdorim i moralit të një pale ndaj një pale tjetër, apo të një individi ndaj një individi tjetër, është kur i thua që "t'i thërrasë ndërgjegjes". Nga situata e fundit me krizën në arsim të shkaktuar nga greva e sindikatës së mësimdhënësve. Këtu kemi tri kategori kryesore që janë të përfshira direkt në këtë krizë: qeveria, sindikata (përkatësisht mësimdhënësit) dhe nxënësit (përkatësisht prindërit). Të shohim se si përdoret "ndërgjegjja" nga secila palë për të manipuluar emocionalisht, apo për të përdorur sentimentin moral kunder palës tjetër. Këshilli i prindërve të Kosovës deri tani pothuajse ka ndërmarrë pak apo aspak hapa për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve. E shumta që ka bërë ky këshill është thirrja për qetësi dhe rekomandimi që mësuesit "t'i thërrasin ndërgjegjes". Mësimdhënësit vazhdimisht thirren në kontributin dhe sakrificat e tyre të periudhës së paraluftës, kur kanë p...

Sizifi në Kosovën e lumtur

Image
A m'e vra veten, a m'e pi një kafe? (Albert Camus) I rr'mih xhepat Sizifi kosovar, për me i gjetë një euro për kafe e me shpëtu shpirt. Xhepat e shkyem, me vrima të zeza në ta, vrima si dritare prej të cilave përbirohesh edhe del direkt nëpër universe paralele. Shetitesh nëpër galaktika e planete ku nafta, buka, madje edhe kafeja është ma lirë. Atje duhet t'i kenë shku edhe ato një euro. Pastaj e heqë dorën nga xhepi dhe teleportohesh direkt në realitet, në Mitin e Sizifit të Albert Kamys. Në absurdizem, aty ku duhet t'a paramendosh Sizifin e lumtur, edhe pse krejt çka ai bën është rrokullisja e gurit poshtë e përpjetë kodrës - përjetësisht. Sa i përket pyetjes retorike në fillim, në fund të fundit - siç thotë Seneca e pastaj edhe Camus - të guxosh të jetosh është trimni ma e madhe sesa të guxosh të vdesësh. P.S. Po boj hajgare se kurrë ma mirë s'o konë. Si n'Zvicër, çmimet!

"Dobitë" e kolonializmit

Image
Natyrisht, pushtimet dhe kolonializmi çdoherë sjellin të këqija, kjo nuk do shumë koment. Mirëpo, nëse do të ndaleshim për një moment të mendonim nëse përveç të këqijave ndonjëherë sjellin edhe ndonjë të mirë. Një shembull, si kolonitë britanike në Indi dhe Afrikë i kanë çrrënjosë disa tradita të tmerrshme lokale nëpër këto vende, siç është sakrificat njerëzore. Charles Napier, shef i komandës së ushtrisë Britaneze në Indi, i ballafaquar me ankuesit lokal në lidhje me ndalimin e sati-t (traditë e popujve të Indisë për djegien për së gjalli të grave të veja), po thotë: - Ju po thoni se e paskeni traditë me i djegë gratë e veja. Shumë mirë. Edhe ne e kemi një traditë: kur burrat e djegin një grua të gjallë, ne u varim një litar përreth qafës dhe i varim. Ngriteni ju turrën e druve. Përskaj saj, karpenteret e mi i ndërtojnë trekëmbëshat. Ju e zbatoni traditen tuaj, ne traditën tonë. (The better angels of our nature, Steven Pinker)

Bar do hamë - parimet nuk i shkelim

Image
Në Shqipëri e tregonin një si lloj anekdote që pasqyron realitetin tragji-komik të periudhës së komunizmit.  Kishte pasë shkuar njëherë për vizitë Enver Hoxha në një prej rajoneve të Shqipërisë që të takonte qytetarët. Njëri prej tyre për të dëshmuar para diktatorit lojalitet të thellë, apo me shpresë se do të prekë sadopak sentimentin e tij për gjendjen në të cilën ishin katandisur, filloi të hante jonxhë. - Çfarë bën kështu? - pyeti diktatori komunist. - Bar do hamë, parimet nuk i shkelim! - u përgjigj në mënyrë triumfaliste qytetari. - I sillni edhe një barrë jonxhë! - urdhëroi diktatori. Morali i storjes është gati sikur ai ekzaltimi deri në ekstazë i simpatizantit politik të Kosovës: O u kënaqëm jarani jem! Ndër çebe qetu, kurrë mos u ndreqtë rryma! Kurrë mos u ndreqtë nxemja!

I huaj në mesin e arinjve

Image
Jo vetëm për shkak se u shfaq ariu në parkun e Gërmisë! Por, duke mësu për arinjtë mësojmë edhe për vetë-vetën, për njëri-tjetrin. Tani ndoshta është momenti i duhur me e shiku filmin dokumentar Stranger Among Bears , të cilin e ka pasë transmetu Animal Planet diku në vitin 2009. Në film, një amerikan me emrin Charlie, i cili pasi pensionohet shkon në Alaskë, e ndërton një shtëpizë dhe vendosë të jetojë me arinjë.  Charlie, para se të ishte i dashuruar mbas arinjve, ai kishte qenë gjuetar - vrasës i tyre. Por, një ditë prej ditësh, derisa ishte duke pushuar në shtëpizën e tij në Alaskë, një ari i erdhi tek shtëpiza që dukej sikur shprehte sjellje miqësore, aty ky u pushtua nga një ndjenjë dhembshurie ndaj tij. Prej asaj dite atij iu bë obsesion përkushtimi ndaj arinjve. Arinjtë siç dëgjojmë zakonisht, janë të rrezikshëm, mirëpo Charlie pohonte se nuk janë nëqoftëse e gjejmë mënyrën adekuate të sjelljes me ta. Ai iu afrohej me një qetësi dhe arrinte t'i bindëte arinjtë me anë të in...

Bregoviqi në Korçë

Image
Në '99 kam qenë në Korçe, nëpër lokale vazhdimisht jehonin këngët e Draganes e Ceces në atë kohë. Ata nuk e kuptonin serbishten, mirëpo i dinin përmendësh tekstet e Bregoviqit, Bjelo Dugmes, e këngët e këngëtarëve tjerë të Jugosllavë. Kjo nostalgji ju kishte ngelur nga periudha e komunizmit, kur tregonin se s'i i kanë dëgjuar fshehurazi radiot jugosllave. Njëfarë forme, këto këngë e tekste, edhe pse të pakuptueshme, kanë qenë një dritare e tyre me botën. Prandaj, mund të supozojmë se akoma e ndjejnë këtë nostalgji. Me pyesnin mua, meqë unë kosovar e kuptoja serbishten - çfarë kuptimi ka kjo? - edhe përpiqeshin të transkribonin tekstet e ndonjë kënge :) Për mua kjo ka qenë një befasi, nuk me kishte shkuar as në skaj të mendjes se ato këngë dëgjohen, e aq më pak pëlqehen në një zonë jugore të Shqipërisë.

QKUK, Auschwitz, turp!

Image
Ky ka qenë një shkrim në njërin prej mureve të ndërtesave përballë Qendres Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Dhe njëmend, kush e ka pasë fatin e keq që të trajtohet aty, apo të trajtojë familjarë, mund të mendojë, a thua çka e dallon QKUK-në nga kampet e përqendrimit nazist në Auschwitz? Sa kam lexuar nga kronikat e Viktor Frenkl dhe Elie Wiesel - të mbijetuar të kampit - mjekë, e disa shërbime shëndetësore ka pasë edhe në Auschwitz. Ndoshta, mungesa e një krematoriumi për djegien e xhenazeve e dallon, ndoshta!  Le se s'po dhezë! - tregonin ata që e kanë dëgjuar stafin mjekësor gjatë një reanimacioni të pasuksesshëm, ku kishte humbur jetën një i ri. Ekzitoi! - Edhe e marrin trupin e pajetë të pacientit, e mbështjellin me batanije të cilën e ka marrë me vete i ndjeri, e hedhin në një dhomë të errët, në dysheme, sikur një mbeturinë. A gjete të njofshëm, a kryjte punë? - pyeste njëri dikë që ankohej se i kishin thënë se duhet të priste, ndërsa ai e dinte se sëmundja e tij nuk pr...

Ressentiment

Image
Kâjta e koritë njërin! (Populli) Në momente të errëta të sinqeritetit me vetëveten, ndoshta do të dëshironim të ishim më të suksesshëm në jetë, të kishim më shumë pasuri, të mos kishim bërë gabime jetësore të pariparueshme, të ishim më të zgjuar, më punëtor, më me autoritet, më me fat, më të guximshëm, më të hijshëm... Me një fjalë, shumë gjëra mund të na mungojnë në jetë për të cilat lakmojmë. Në lidhje me lakminë, filozofi gjerman Friedrich Nietzsche, përdor shprehjen frënge " ressentiment " - me theks tek ndjenja e poshtërimit që ndjejmë për diçka që dëshirojmë t'a kemi por nuk mundemi. Megjithatë, Nietzsche nuk insiston se lakmia është domosdoshmërisht diçka e keqe. Në mënyrë interesante i pasqyron disa veçori të njeriut të ressentiment-it (lakmitarit): "Përderisa njeriu fisnik jeton me besim dhe i hapur me veten e tij ("i drejtë" dhe ndoshta edhe "naiv"), njeriu i ressentiment-it nuk është as i drejtë, as naiv, as i ndershëm dhe i drejtpërdre...

Perspektivë mbi vdekjen

Image
Larry King - ikona televizive amerikane sot paska vdekë. Më kujtohet një intervistë e tij me astro-fizicientin e njohur Neil deGrace Tyson ku flisnin rreth vdekjes. Në mes tjerash diskutuan se si jeta në këtë botë - demek - nëse zgjatë shumë, dikur bëhet monotone. A do të dëshiroje të jetoje përgjithmonë? Larry, pa hezitim u përgjigj - PO! Pritej të thoshte - jo valla mirë e ki se nime nuk jetohet gjithë, se dikur bohet bajat 😊 Një prej realiteteve më të mëdha që zakonisht injorohet dhe askush nuk ka dëshirë të diskutojë rreth saj është vdekja. Realiteti i vdekjes çdoherë ngjallë ndjenja tmerruese. Trupi i ftohtë i kufomës - në fakt është temperatura e dhomës/ambientit. Sa të është gjallë organizmi, shumicën e energjisë e shfrytëzon për të mbajtur temperaturën e trupit rreth 36 gradë celsius. Kur ky mekanizëm i mbajtjes konstante të temperaturës nuk funksionon më, trupi e merr temperaturën e ambientit - kur e prekim - uh ftohtë! Edhe diçka që më ka mbetë në kujtesë nga kjo intervistë ...

Viti i mbrapshtë

Image
A do ta azhurojë romanin e tij me këtë titull Ismail Kadare, në atë mënyrë që të përfshijë këtë vit në të? Natyrisht, jo! Princ Wiedi, Haxhi Qamili, Dum Baben - e këso gjëra "na duhen" edhe më tutje 🙂 Për shumëkënd, ky vit që po shkon po cilësohet si më i mbrapshti. Me të gjitha këto sfida dhe vështirësi që solli pandemia, viti paraprak për dikë mund të ketë qenë më i vështirë sesa ky. Vështirësia apo lehtësia janë subjektive. Më i mbrapshti, mbase edhe për shkak të egocentrizmit dhe pandjeshmërisë, që janë të pranishme. Vetëm atëherë kur na godet personalisht neve apo rrethin e ngushtë, atëherë fatkeqësinë e cilësojmë fatkeqesi dhe vitin - vit të mbrapshtë, ndërsa kur i godet të tjerët jemi indiferentë! Indiferenca tregon për mungesë të dashamirësisë. Siç thonë Elie Wiesel - e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja por indiferenca. Megjithatë, pandemia pati edhe një rol barazues në mes njerëzve. Sikurse vdekja! Kësaj radhe, në raport me pandeminë gati të gjithë, në njëfarë...

Solstici dimëror, dita më e shkurtër e vitit

Image
Shpeshherë kemi dëgjuar se në dimër ditët janë më të shkurtëra dhe netët më të gjata. Por, kjo nuk është krejt e vërtetë! A është sot dita e parë e dimrit? Po! A është dita më e shkurtër e vitit? Po! Dmth prej nesër secila ditë është më e gjatë se tjetra, po i bie se ditët në dimër shkojnë duke u zgjatur 🙂 Në kulturat e mëhershme, në hemisferën veriore të Tokës, kjo periudhë simbolizonte një lloj rringjalljeje. Zgjatja e ditës mbjellte shpresë për ngrohtësi, dritë, e jetë. Prandaj, nga persianët, romakët e deri te fiset nordike kjo periudhë shenohej me festivale të ndryshme. Puna dhe gjallëria zhvillohej në tri stinët tjera, ndërsa dimri ishte pushim. E kur ka pushim ka festa. Romakët e kishin festivalin Saturnalia - festë që zgjaste me javë. Meqë ishin paganë, kjo festë i dedikohej Saturnit - perëndisë së të mbjellave. Sa i perket Saturnit, po flitet nëpër forumet e astronomisë se pikerisht këto ditë, planetet Saturni dhe Jupiteri janë të radhitura në atë mënyrë që nga Toka duken se ...

Përmendoret e Ishullit të Pashkëve

Image
Sa herë që ngrihen përmendore në Kosovë nuk mund të mos më shkojë ndër mend Ishulli i Pashkëve. Ishulli i Pashkëve është një ishull vullkanik diku në juglindje të Oqeanit Paqësor. Eksploruesi holandez Jacob Roggeveen ka lundruar andej pari diku rreth viteve 1700, në atë periudhë rastisë të jenë edhe Pashkët; prandaj edhe ishulli është i njohur ashtu mëpastaj. Kur kishte zbarkuar ne ishull Roggeveen, ishte mahnitur me atë qe pa. Statuja gjigante dhe të shumta që qëndronin e nuk kishte njeri të gjallë në ishull. Natyrisht, kurreshtja se kush i ka sjellë ato statuja aty kishte nxitur pastaj programe të shumta hulumtuese. Thuhet se aty janë gjetë gjurmë arkeologjike që dëshmojnë se përpara kanë jetuar njerëz nga viti 1200-1400, për rreth dy shekuj – të cilët edhe i kane ndërtuar ato statuja. Meqë paska pasë njerëz, pse tash më nuk ka? Çka ka ndodhur me ta? Sipas hulumtimeve, fillimisht banorët e ishullit i kishin pre të gjithë drunjtë, e kishin shkatërru natyrën e ekosistemin, dhe në fund...

Urbanizmi rural

Image
Unë jam rritë në lagjen Ulpiana në Prishtinë, te fontana - afër soliterave, ata që e njohin Prishtinën e dijnë këtë vend. Ajo pjesë është cilësuar si një prej zonave më të mira në aspektin e planifikimit hapësinor e urbanizmit, jo vetëm në Kosovë por edhe në nivel të Jugosllavisë. Është ndërtuar për së mbari, sigurisht nën drejtimin dhe mbikqyrjen e arkitektit legjendar Bashkim Fehmiut (siç kam dëgjuar). Edhe sot, besoj se ajo është zona më e mirë urbane e qytetit. Hapësira të gjelbra, trotuare e rrugë të gjëra, parking të mjaftueshëm, ngrohje qëndrore, të gjitha që duhet të ofrojë një hapësirë e cilësuar si urbane - për rrethanat e kohës kur është ndërtuar. Për këtë zonë janë inspiru edhe vepra letrare, si për shembull romani - Sarajet e bardha - Vehbi Kikaj :) Periudha e zymtë e viteve '90-ta e kishte ngecë edhe përparimin, si në të gjitha sferat e jetës, gjithësesi edhe në aspektin e mirëmbajtjes së hapsirave urbane. Nuk kishte riparime, nuk kishte investime, thjeshtë gjithçka k...

28 nëntori

Image
Edhe shqiptarët kishin arritur që të artikulonin idenë e tyre kombëtare para se të fillonte punimet Konferenca e paqës në Londër. Shpallja e pavarësisë si një akt i mençur i mendjeve të ndritura të asaj kohe, bëri që Shqipëria u njoh si shtet, megjithëse shumë pjesë të kombit mbetën jashtë kufijve të atij shteti, përfshirë Kosovën - por aq mund të bëhej në atë kohë kur gjasat ishin të mëdha që shtet shqiptar të mos ekzistonte fare. Megjithatë, ideja kombëtare kishte mbijetuar, përpjekjet nuk kishin shkuar huq, dhe na shërbeu që një shekull pas edhe ne në Kosovë të realizojmë përpjekjen tonë për liri. Ideja e kombit është që të bashkojë miliona njerëz nën një ombrellë të përbashkët të vëllazërisë, ku të gjithë pjestarët ndjehen të barabartë. Kombi nuk funksionon nëse rreshqet në konceptin Orwellian - të gjithë janë të barabartë por disa janë më të barabartë se të tjerët. E që këtë tendencë e hasim shpesh, ku grupe të caktuara brenda kombit ndjehen më të barabartë apo më hisedarë se të t...

Në kujtim të babës - Ismail Gashi

Image
Kanë kalu më shumë se tridhjetë vite që prej se u ballafaqova me ngjarjen më të rëndë që mund të më kishte ndodhur, më kishte vdekë baba. Nuk kishin kaluar dy ditë që i kisha mbushur gjashtë vite. Si është e mundur që të vdesë? Naiviteti i moshës më bënte që të mos e kuptoja, e pastaj edhe të mos e pranoja një fakt të tillë. Ndjehesha i humbur në hapësirë dhe në kohë. Kush më regjistron tash në shkollë? Për të cilën gjë baba më kishte premtuar, ma kishte blerë edhe Abetaren në librarinë që ishte në shesh, kur kishim dalë të shëtisim një ditë. Me kë dal në parkun e Gërmisë tash? Një ditë kishim dalë bashkë me babën në parkun e Gërmisë; për mua ishte hera e parë që e mbaja në mend një shëtitje të tillë të mrekullueshme. Kur u afruam te një burim i ujit, baba e vendosi dorën e tij të bardhë përskaj burimit dhe unë pastaj i afrova buzët e vogla dhe piva ujë nga dora e tij. Pastaj duke ecë përgjatë stazës në pyll, papritmas u ktheva mbrapa dhe nuk e pashë babën. Fillova ta thërrasë, por nuk...

Autobusët e Halloween-it

Image
 Paskan dalë disa fëmijë edhe i paskan gjuajte me gurë autobusët e Prishtinës - për Halloween! Të gjithë duke u shprehë me fjalë fyese e përçmuese ndaj këtyre fëmijëve dhe ndaj prindërve të tyre. Sa të pa edukatë, sa të pa kulturë! Shyqyr që fëmijët janë të vegjël se do ti konsideronin si sulme të motivuara politikisht. Megjithatë, këto akte vandalizmi edhe mund të jenë shprehje e pakënaqësisë së tyre, per gjendjen në të cilën i kemi katandisur. Shoqëria, e sidomos Shpend Ahmeti, në vend se t'i gjykojë këta fëmijë e këta prindër, duhet të përpiqet të kuptojë se ndoshta ata në mënyrë implicite po dojnë të i dërgojnë mesazh, alarm. Sa kënde të lojnave e rekreacionit ja u ka ndërtu komuna këtyre fëmijëve? Sa palestra sportive i ka ndërtu komuna në këtë lokalitet? Asgjë! Përveç ndërtime të egra që t'a zënë frymën më keq se vetë tymi i çymyrit që del nga 'to.

Ndërrimi i orës

Image
Disa vende ku vetëdija është më e ngritur, ku vendimet që i marrin i shohin në bazë të asaj që është në dobi të shoqërisë, e jo duke pasuar verbërisht praktikat tjera, ka kohë që e kanë ndalë këtë dukuri të lojes me akrepat e orës.  Në Turqi për shembull, ka vite qe e kishin ndalë këtë fiskulturë. Gjatë dimrit kur në Stamboll bëhej ora 8 e mëngjesit, akoma nuk kishte lindur Dielli. Kështu, njeriu fillonte një ditë të plotë prej agimit deri në muzg, duke e shfrytëzuar çdo sekondë. Ndërsa te ne tash, njeriu e fillon ditën veç pasi të ketë kaluar një pjesë e mirë e saj, dhe dita përfundon para orës 5 mbasdite. Po flitet që ndoshta vitin e ardhëshëm të mirret vendim që të ndalet kjo praktikë, shpresoj që të vendoset për orën e djeshme me -1 ore, e jo e të sotmen.

Solstici veror

Image
 Sot koka dita e solsticit veror, dita ma e gjate e vitit. Drite, jete, gjallni, ngrohtesi, shprese...  Mue m'pelqen kjo periudhe e vitit, deri kah fundi i korrikut kur verehet dukshem shkurtimi i dites, qe e implikon terrin, ftoftin, depresionin, me nder me thene - vdekjen... Nasradini thone qe gjate gjithe veres merzitej se mendonte cka bon qe po vjen dimni, ndersa gjate gjithe dimnit gezohej se e priste qe po vjen vera :)