Viti i mbrapshtë
A do ta azhurojë romanin e tij me këtë titull Ismail Kadare, në atë mënyrë që të përfshijë këtë vit në të? Natyrisht, jo! Princ Wiedi, Haxhi Qamili, Dum Baben - e këso gjëra "na duhen" edhe më tutje 🙂
Për shumëkënd, ky vit që po shkon po cilësohet si më i mbrapshti. Me të gjitha këto sfida dhe vështirësi që solli pandemia, viti paraprak për dikë mund të ketë qenë më i vështirë sesa ky. Vështirësia apo lehtësia janë subjektive. Më i mbrapshti, mbase edhe për shkak të egocentrizmit dhe pandjeshmërisë, që janë të pranishme. Vetëm atëherë kur na godet personalisht neve apo rrethin e ngushtë, atëherë fatkeqësinë e cilësojmë fatkeqesi dhe vitin - vit të mbrapshtë, ndërsa kur i godet të tjerët jemi indiferentë! Indiferenca tregon për mungesë të dashamirësisë. Siç thonë Elie Wiesel - e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja por indiferenca.
Megjithatë, pandemia pati edhe një rol barazues në mes njerëzve. Sikurse vdekja! Kësaj radhe, në raport me pandeminë gati të gjithë, në njëfarë forme, ishim ngapak si të barabartë. Edhepse, çdoherë disa janë më të barabartë se të tjerët - sikurse në Fermën e kafshëve të Orwellit.
Siç është zakon nëpër fundvite, dëgjohet rëndom cliché-ja - "shpresojmë se viti që po vjen të jetë më i mirë." Shpresa është një veti e mirë të cilën duhet të mos e humbim por, vetëm kalimi i kohës dhe rrotullimi i akrepave nuk është kurrëfarë garance.
Nëse kthehemi edhe njëherë te romani me karakter humoristik i Kadaresë - Viti i mbrapshtë - ai aty trajton një gjendje të thellë anarkie në Shqipërinë e vitit 1914. Kjo gjendje socio-politike e asaj kohe goxha shumë ngjanë me gjendjen e Kosovës së kohëve të fundit. Mos po i bie se vitet e mbrapshta na paskan përcjellë gjatë gjithë kësaj kohe?
Në fund të fundit, mund të kemi një vit të ri por, ky vit i ri nuk do të thotë asgjë nëqoftëse nuk hyjmë në të me një mendësi të re, qasje të re, pozicion të ri...
Comments
Post a Comment