Vaksina
Vaksinën e parë e ka zbulu anglezi Edward Jenner qysh në vitin 1796. Para se t'a zbulojë ai vetë ka qenë i "vaksinuar" sa ishte fëmijë. Qysh? Çka jam t'u thanë kështu? Me u vaksinu hala pa u zbulu vaksina! Pak si në këtë filmin Tenet…
Lady Mary Wortley Montagu, gruaja e ambasadorit anglez në Stamboll, në disa letra të shkruara në vitin 1718 i përshkruan takimet shoqërore që zhvilloheshin ndërmjet grave osmane. Në mes tjerash, tregon se si i merrnin edhe i bënin bashkë fëmijët e tyre edhe ju bënin nga një gërvishtje në krah me njëfarë mjeti të mprehtë që kishte prekur në qelbin e plagëve të personave të infektuar me variolë-lijë. Pas kësaj procedure të njohur si "variolim", fëmiu merrte një formë të lehtë të smundjes dhe pastaj bëhej imun ndaj saj.
Zonja Mary edhe vetë ishte e mbijetuar nga kjo smundje e tmerrshme që i kishte lënë pasoja permanente. I kishte varioluar fëmijët e saj në Stamboll, pastaj i kishte bindur fillimisht familjen mbretërore pastaj edhe të tjerët, duke e sjellë kështu këtë praktikë në Angli.
Osmanët supozohet se e kanë përdorur këtë procedurë për rreth një shekull më parë. Ka shumë teori se nga e kanë mësuar ata vetë këtë praktikë, disa thonë nga Azia apo Afrika. Kryesorja, në Evropë kjo ka ardhë nga osmanët.
Edward Jenner pastaj duke observuar kishte vënë re se gratë të cilat i mjelnin lopët nuk prekeshin nga variola. Ato prekeshin nga një lloj tjetër i lijes që në anglisht i thonë cowpox, apo lija e lopës. Dmth kush prekej nga lija e lopës - e cila ishte shumë më e lehtë, nuk prekej pastaj nga variola - që ishte vdekjeprurëse. Dhe kështu kishte zbuluar se duhet të infektohen sa më shumë njerëz me lijen e lopes që t'i shpëtojnë variolës.
Gjuha e shkencës në Perëndim në atë periudhë nuk ishte anglishtja, por latinishtja. Kështu që, Jenner e dokumentoi zbulimin e tij siç ishte zakoni, në latinisht. Lopës latinisht i thonë vacca, prandaj edhe sot e kësaj dite i ka mbetë emri vaksinë.
Comments
Post a Comment