Pabarazia, kapitali social dhe dhuna
Kohëve të fundit po shohim më shumë vrasje, rrahje, kriminalitet, dhunë. Kur flitet nëpër kafe e ndeja, apo edhe në komunikime në rrjete sociale, zakonisht njerëzit thonë se - varfëria, kriza ekonomike - po i shtyn njerëzit drejt dhunës. Inflacioni, ngritja e cmimeve, të ardhurat e vogla, kjo po i bon njerëzit ma agresivë, e si pasojë edhe më të dhunshëm.
Unë nuk jam studiues i sjelljeve njerëzore a sociale - të më ndjejnë ata që i dijnë më mirë këto punë, e që ndoshta po përzihem në punët e tyre. Por, në këtë rast do ti referohem disave që i kanë hulumtuar më thellë këto qështje, e ndoshta secili prej neve pastaj reflekton mbi arsyeshmërinë e tyre.
Robert Sapolsky e ka një libër me titull Behave, në të cilën sjellë fakte që dëshmojnë se - nuk është rritja e varfërisë indikator për rritjen e shkallës së dhunës në një shoqëri, por është rritja e pabarazisë. Kur ka rritje të pabarazisë në një shoqëri, pritet me pasë edhe rritje të shkallës së dhunës. Por, çka është pabarazia?
Sapolsky në shtjellimin e tij, pas pohimit se sjellja njerëzore është shumë komplekse dhe nuk mund të shpjegohet vetëm nga një perspektivë, e jep një narracion të zhvillimit të historisë së shoqërisë njerëzore që nga zanafilla e saj. Para mijëra vitesh njerëzit kryesisht kanë jetu në shoqëri foragjere, kanë dalë në gjueti bashkë, kanë mbledhë ushqim në natyrë bashkë, dmth shoqëria ka qenë më shumë egaletare. Por, pastaj nisin me u zbulu sendet (gjësendet) dhe këtu zë fill edhe pabarazia - si rezultat krijohen edhe shtresat shoqërore. Që me i ra shkurt, sot shoqëritë njerëzore edhe pse përgjithësisht janë shoqëri me shtresa, varësisht prej rrethanave kulturore dallon nga vendi ne vend për nga shpërndarja e kapitalit, që tregon për nivelin e barazisë së atyre shoqërive. Sa më në mënyrë të barabartë është i shpërndarë kapitali në një shoqëri, aq më egaletare është shoqëria dhe e kundërta. Por, çka është kapitali?
Kur jemi te kapitali i një shoqërie, përgjithësisht kemi dy kategori: kapitali ekonomik - sasia e përbashkët e të mirave materiale, sherbimeve dhe burimeve financiare; kapitali social - besa (besnikëria), reciprociteti dhe bashkëpunimi.
Të kthehemi tash në shoqërinë tonë, sa i përket shpërndarjes së kapitalit ekonomik - çka mendoni a kemi shpërndarje dhe qasje të barabartë në këtë kapital brenda shoqërisë? Shtresa fatlume e shoqërisë që ka pasë qasje në këtë kapital e arsyeton suksesin me idenë se - me punë, punoni edhe ju sikur na për me arritë ku kemi mbërri na. Këtu me vjen ne mendje edhe Alain de Button kur flet për Danimarkën. Thotë Danimarka ka ndërtu shoqëri për "dështakë". Tortura më e madhe në kohën tonë është idealizimi i meritokracisë. Por, statistikisht vetëm një përqindje e vogël e shoqërisë do të mund të arrijnë të bëhen milionerë e miliarderë. E ne kryesisht kemi ndërtuar shoqëri të asaj pakice njerëzish të suksesshëm, ndërkohë që shumica do bëjnë një jetë të zakonshme - sipas këtij standardi - të dështuar. Pse nuk ndërtojmë edhe ne një shoqëri për shumicën sikurse Danimarka për shembull, për njerëzit e zakonshëm, për “dështaket”?
Të kthehemi tash të shohim si i kemi punët me kategorinë tjetër të kapitalit - kapitalin social. A i besojmë, a mundemi me i zënë besë njeri-tjetrit? Kjo përgjigje sigurisht kërkon një hulumtim të mirëfilltë, por përshtypja ime është se ka shumë për të dëshiruar në këtë pikë.
Tjetra, a kultivojmë raporte reciproke me njeri-tjetrin? A ia bëjmë tjetrit atë që nuk kemi qef me na e ba dikush neve?
Sa jemi bashkëpunues me njeri-tjetrin apo mos ndoshta secili e keqyr vetëm interesin e vet personal? Këto virtyte pra përbëjnë kapitalin social të një shoqërie: besnikeria, reciprociteti, bashkepunimi. Nuk është vetëm kapitali ekonomik i rëndësishëm. Pa kapital social, shoqëria nuk ka aftësi me ndërmarrë asgjë në drejtim të prosperitrtit. Pa kapital social nuk mund të ketë barazi në qasje as të kapitalit ekonomik. Pa këtë kapital në shoqëri thellohet ndarja ndermjet shtresave sociale.
Përshtypja ime është se pabarazia, sidomos mungesa e kapitalit social, po vjen e po thellohet. Prandaj, nëse vazhdojmë kështu si shoqeri, nuk po shoh se jemi duke u zhvillu si shoqeri prosperuese e paqesore.
Comments
Post a Comment