Epoka e korruptimit

Njerëzit që jetojnë në një epokë të korruptuar janë të mprehtë dhe shpifës; e dinë mirë se ka mënyra të tjera për të vrarë, përveç therrjes me thikë apo goditjes; po ashtu e dinë se çfarëdo që thuhet bukur, besohet.

-Niçe

Sipas Niçes, secila shoqëri kalon nëpër ciklet e tri stadeve apo epokave: epoka e krijimit - kur krijohen vlerat dhe idealet e një shoqërie; epoka e shprehisë - kur vlerat dhe idealet shndërrohen në shprehi, zakone. Pra, njerëzit nuk besojnë fuqishëm në to, por  megjithatë ju përmbahen atyre; dhe epoka e korruptimit - kur vlerat dhe idealet nuk besohen më por njerëzit pretendojnë se i besojnë.

Pra, nuk është fjala për korrupsionin në kuptimin e zakonshëm, por për një gjendje kulturore dhe shpirtërore të një shoqërie.

“Epokë e korruptimit” është periudha kur vlerat e vjetra — fetare, morale apo politike — që dikur i jepnin jetës kuptim, kanë humbur fuqinë e tyre, ndërsa vlera të reja ende nuk janë krijuar.

Është koha kur njerëzit nuk besojnë më sinqerisht në idealet e vjetra, por vazhdojnë të sillen sikur i besojnë ato.

Kështu lind hipokrizia, ironia dhe cinizmi.

Në vend të besimit dhe bindjes, mbizotëron përbuzja dhe tallja.

Kur zhduken bindjet e thella, njerëzit nuk luftojnë më për të vërtetën — luftojnë për pamjen e jashtme dhe përshtypjen.

Në mungesë të idealeve, ironia dhe shpifja bëhen armët kryesore.

Njerëzit në këtë kohë e dinë që ka mënyra të tjera për të vrarë — jo më me thikë apo dhunë fizike, por me fjalë, me reputacion, me përçmim publik.

Pra, “vrasja” është simbolikë për shkatërrimin moral dhe shpirtëror të tjetrit përmes gjuhës dhe opinionit.

Në epokat e korruptimit, rëndësi i jepet formës në vend të përmbajtjes, njerëzit nuk pyesin më nëse diçka është e vërtetë — pyesin nëse tingëllon bukur.

Bukuria e fjalës zë vendin që duhet ta kishte thellësia e mendimit.

Retorika zëvendëson të vërtetën.

Shoqëri që jeton nga përshtypjet dhe jo nga idetë.

Nëse e përkthejmë në realitetin e sotëm, “epoka e korruptimit” është ajo e imazhit, marketingut moral, manipulimit mediatik dhe politik, ku e vërteta humbet nën peshën e propagandës dhe pamjes së jashtme. Kohë kur fjalët janë më të forta se realiteti.

E megjithatë, në anën tjetër, epoka e korrupsionit nuk shikohet vetëm si diçka negative.

Kur korrupsioni del në pah, është shenjë se një rend i vjetër po vdes — dhe ky është kusht për rilindje.

Nga kjo prishje lind mundësia që individë të fortë, “shpirtra të lirë”, të krijojnë vlera të reja.

Pra, epoka e korruptimit është agimi i një bote të re.



Comments

Popular posts from this blog

Prishtina, jo vetëm përmes autobusëve

Pabarazia, kapitali social dhe dhuna