Kroacia
Fatkeqësisht këto ditë ka pasë tërmet në Kroaci, i cili ka shkaktu dëme materiale dhe në njerëz. Natyrisht që solidarizohemi me viktimat dhe popullin mik kroat.
Kur njëri prej personaliteteve të shquara të jetës politike të Kosovës kishte kërkuar që të dërgoheshin ushtria e Kosovës në Kroaci, mu kujtua një përvojë personale që e kam unë atje.
Para rreth dhjetë vjetësh pata shkuar në Zagreb në një seminar dy ditor. Aplikova për vizë në ambasadën e Kroacisë edhe kërkova një afat më të gjatë për vizë, sepse thosha kumeditë si vjen puna. Mirëpo, vizën ma lëshuan vetëm për dy ditë për aq sa zgjaste seminari - as një sekond më shumë.
Poslovnji posjet - vizitë pune
Kah shkova pata vështirësi p.sh. më humbi çanta në aeroportin e Prishtinës, etj. Por, nuk po du me u zgjatë më shumë se mos po bëhet najkah skenar për film 😊
Kah kthehsha prej Zagrebit, ishte Janari i vitit 2010 nëse nuk gaboj. Aeroplani, kur u afrua afër qiellit të Prishtinës, piloti njoftoi se nuk po mund të aterojë për shkak të motit të keq. Po provojmë në Shkup tha, edhe atje aeroporti i mbyllur. Pas ndonjë tre orësh shëtitje nëpër ajër, u kthyem prapë në Zagreb.
Kur mbërritëm në Zagreb, në kontrollin e pasaportave një vajzë që punonte aty mu drejtua - të ka skadu viza dhe nuk mund të hyni në Kroaci. A mund të aplikoj këtu në aeroport? Nuk mund as të aplikoni për vizë sepse tash është vonë, bankat janë mbyllur dhe nuk keni ku të bëni pagesën për taksa administrative të vizës. Mbeta në zonën e tranzitit!
Të gjithë kaluan, kishte me neve edhe personalitete të shquara politike me poste të larta shtetërore të asaj kohe, të cilët kishin edhe lidhje me shtetin kroat. Por, aq ju bënte atyre për qytetarët e shtetit që përfaqësonin! Kishim mbetur vetëm unë edhe një vajzë nga Kosova të cilëve na kishte skaduar viza. Si dy jetimë! Ajo vajza filloi të qante edhe t'i luste që të mos na linin të kalojmë natën në zonën e tranzitit.
Atëherë, kroatët diskutuan në mes vete dhe bënë një zgjidhje kreative. Na mundësuan që t'i vendosim paratë në një zarf, me te cilat para stafi i aeroportit të nesërmen kur të hapen bankat do të bënin pagesën për ne, ndërkohë që na e vendosën nga një vizë një ditore.
Thash - si na trajtoni kështu keq kur ne sa shumë kemi respekt për juve kroateve?
M'u përgjigj ajo kroatja - falenderoju lotëve të kësaj vajzës që ia thyen zemrën shefit se ti sonte do të flije këtu!
Në këtë rast, kroatët nuk kishin aspak faj, ata zbatonin ligjet e shtetit të tyre, përveç kësaj u treguan edhe njerëzor dhe na ndihmuan që të hyjmë në Kroaci, gjë që varej vetëm nga vullneti i mirë i tyre. Faji këtu natyrisht që është mbi establishmentin politik të shtetit tonë. Shteti im është këtu që më kishte lënë në baltë e jo kroatët.
Comments
Post a Comment