Urbanizmi rural
Unë jam rritë në lagjen Ulpiana në Prishtinë, te fontana - afër soliterave, ata që e njohin Prishtinën e dijnë këtë vend. Ajo pjesë është cilësuar si një prej zonave më të mira në aspektin e planifikimit hapësinor e urbanizmit, jo vetëm në Kosovë por edhe në nivel të Jugosllavisë. Është ndërtuar për së mbari, sigurisht nën drejtimin dhe mbikqyrjen e arkitektit legjendar Bashkim Fehmiut (siç kam dëgjuar). Edhe sot, besoj se ajo është zona më e mirë urbane e qytetit. Hapësira të gjelbra, trotuare e rrugë të gjëra, parking të mjaftueshëm, ngrohje qëndrore, të gjitha që duhet të ofrojë një hapësirë e cilësuar si urbane - për rrethanat e kohës kur është ndërtuar.
Për këtë zonë janë inspiru edhe vepra letrare, si për shembull romani - Sarajet e bardha - Vehbi Kikaj :)
Periudha e zymtë e viteve '90-ta e kishte ngecë edhe përparimin, si në të gjitha sferat e jetës, gjithësesi edhe në aspektin e mirëmbajtjes së hapsirave urbane. Nuk kishte riparime, nuk kishte investime, thjeshtë gjithçka kishte stagnuar, sikur nuk frymonte asgjë.
Me rastin e çlirimit nga okupimi prej '99 e këtej, të gjithë prisnim të kishte përparime sa i përket urbanizmit, por fatkeqësisht ndodhi e kundërta. Sidomos në ndërtimet e reja u bë një masakër e tmerrshme urbanistike. Gjithkush filloi të ndërtojë gjithkund e gjithçka, kontrollë nuk kishte, ligji nuk funksiononte. Madje, ligji i ndërtimit u amandamentua në atë mënyrë që t'i përshtatej profiterëve morbid të ndërtimit dhe politikës. Degradimi i qytetit vazhdon edhe në këto momente. Sot, Prishtina është shëndërruar në një rrëmujë të vërtetë e të turpshme.
Në disa vende - rrallë, profiterët e ndërtimit kanë bërë mëshirë duke ndarë hapsirë kinse për trotuare, 20-30 centimetra. Mirëpo, njerëzit i shoh që ecin në mes të rrugës bashkë me kerre, sepse e kanë humbë sensin e kujtesën se për çka shërbejnë e çka janë trotuaret.
Natyrisht, faktor me rëndësi në këtë aspekt mund të jetë edhe lëvizja demografike. Në katund, ku dendësia e popullatës është e vogël, pleherat - qoftë edhe ato fiziologjike - edhe nëse hidhen në fund të oborrit, nuk paraqesin ndonjë shqetësim të madh. Mirëpo, në hapësira urbane ku kemi koncentrim të madh të popullsisë, menaxhimi i berllogut duhet të jetë një ndër prioritetet më të mëdha. Tek ne - mbase për shkak se në pozita me përgjegjësi janë vendosë persona me përvoja të jetës rurale - kjo nuk është marrë parasysh pothuajse fare. Tash, njerëzit hedhin mbeturina gjithkund dhe koshat e plehrave i kanë nga një kilometër larg.
Comments
Post a Comment