Në kujtim të babës - Ismail Gashi
Kanë kalu më shumë se tridhjetë vite që prej se u ballafaqova me ngjarjen më të rëndë që mund të më kishte ndodhur, më kishte vdekë baba. Nuk kishin kaluar dy ditë që i kisha mbushur gjashtë vite. Si është e mundur që të vdesë? Naiviteti i moshës më bënte që të mos e kuptoja, e pastaj edhe të mos e pranoja një fakt të tillë. Ndjehesha i humbur në hapësirë dhe në kohë. Kush më regjistron tash në shkollë? Për të cilën gjë baba më kishte premtuar, ma kishte blerë edhe Abetaren në librarinë që ishte në shesh, kur kishim dalë të shëtisim një ditë. Me kë dal në parkun e Gërmisë tash? Një ditë kishim dalë bashkë me babën në parkun e Gërmisë; për mua ishte hera e parë që e mbaja në mend një shëtitje të tillë të mrekullueshme. Kur u afruam te një burim i ujit, baba e vendosi dorën e tij të bardhë përskaj burimit dhe unë pastaj i afrova buzët e vogla dhe piva ujë nga dora e tij. Pastaj duke ecë përgjatë stazës në pyll, papritmas u ktheva mbrapa dhe nuk e pashë babën. Fillova ta thërrasë, por nuk u duk asgjëkundi. Më kapi paniku dhe fillova të qajë - mendova se baba më kishte braktisur në mes të pyllit. Në ato çaste ai u shfaq, ishte fshehur mbas një lisi që të lozte me mua. Akoma edhe sot e kujtoj me mallë buzëqeshjen e tij të ëmbël të atij momenti. Por, ja që tani ai qëndronte i shtrirë dhe kësaj radhe vërtetë më kishte braktisur, përgjithmonë…
Vdekja e babait kishte lënë një boshllëk të tmerrshëm në jetën time. Unë u regjistrova atë vit në shkollë, vazhdova shkollimin, kalonin vitet, jeta vazhdoi, por mungesa e tij më përcillte përherë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Baba pjesën më të madhe të jetës, kryesisht ka punuar si profesor i Fizikës në gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë (atëbotë i njohur si Ivo Lola Ribar), deri kur i ishte rënduar shëndeti dhe qe pensionuar para kohe në vitin ‘89. Përveç kujtimeve personale si fëmijë, për babën më shumë di nga rrëfimet e njerëzve tjerë. Të gjithë ata që më kanë folur për të, thonë se baba ka qenë një person mjaft i virtytshëm, gjenial, inspirues, i drejtë, fjalëpakë…
Kur u regjistrova në gjimnaz, kishte kaluar një dekadë prej kur baba nuk jepte mësim më aty. Megjithatë, kolegët e tij – tani arsimtarët e mi – e kujtonin me shumë respekt. “Të mbaj mend kur ke qenë kaq” – tregonte me dorë kujdestarja. Sepse njëherë, më kishte marrë baba në gjimnaz kur kishte pasë punë diçka kalimthi, ajo më kujtonte mua nga ai moment.
Megjithëse e kam vuajtur mungesën e tij, baba gjithëherë më ka bërë krenar me jetën dhe veprën e tij. Imazhi i tij më ka frymëzuar gjatë gjithë jetës, jam përpjekur që edhe unë sa të mundem ta ndjek shembullin e tij.
Comments
Post a Comment