T'i thërrasësh ndërgjegjës

Një prej tentimeve par excellence për manipulime emocionale apo keqpërdorim i moralit të një pale ndaj një pale tjetër, apo të një individi ndaj një individi tjetër, është kur i thua që "t'i thërrasë ndërgjegjes".

Nga situata e fundit me krizën në arsim të shkaktuar nga greva e sindikatës së mësimdhënësve. Këtu kemi tri kategori kryesore që janë të përfshira direkt në këtë krizë: qeveria, sindikata (përkatësisht mësimdhënësit) dhe nxënësit (përkatësisht prindërit). Të shohim se si përdoret "ndërgjegjja" nga secila palë për të manipuluar emocionalisht, apo për të përdorur sentimentin moral kunder palës tjetër.

Këshilli i prindërve të Kosovës deri tani pothuajse ka ndërmarrë pak apo aspak hapa për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve. E shumta që ka bërë ky këshill është thirrja për qetësi dhe rekomandimi që mësuesit "t'i thërrasin ndërgjegjes".

Mësimdhënësit vazhdimisht thirren në kontributin dhe sakrificat e tyre të periudhës së paraluftës, kur kanë punuar nën okupim, me paga të ulëta, apo ndonjëherë edhe pa paga, kanë rrezikuar, etj, etj. Me një fjalë, kërkojnë që ne dhe qeveria "t'i thërrasim tash ndërgjegjes".

Qeveria gjithashtu tenton të prekë sentimentin e palëve duke e prekur "ndërgjegjen" me fraza: si po e sfidoni apo bojkotoni shtetin; ju bëjmë thirrje mësimdhënësve që të kthehen në mesim, dmth "ndërgjegjja".

Le t'i thërrasin ndërgjegjes…

Cilës ndërgjegje? Ndërgjegja ka vdekur, e kufomën e saj askush nuk shkoi t'a varrosë. Ndërgjegja u la mbi dhè, u kalb, e kuterbimin e së saj askush nuk e ndjeu. Ndërgjegja u tha, u tret, humbi, u bâ dhè, e askush nuk qau për të. Tash po e thërrisni? Pse duhet t'i thërrisni diçkaje nga bota e së harruarës që as ju vetë nuk i besoni?

Lëreni ndërgjegjen të pushojë e qetë. Nuk e di pse ju duhen këto marrëzi, këto manipulime, këto dallavere.

E vërteta është se fëmijët janë arsyeja e vetme pse ekzistojnë shkollat, si rrjedhojë ata janë arsyeja pse ekzistojnë arsimtarët. Ndërsa ata tani nuk po përfillen fare. Mësimdhënësit me ngulm po i kërkojnë interesat e tyre dhe nuk çajnë kokën për nxënësit. 

Edhe qeveria si duket ka halle me të rëndësishme dhe nuk i bëhet vonë për fëmijë.

E prindërit? Nëse edhe këta të fundit nuk çohen me një vendosmëri të madhe për të drejtat e fëmijëve, aq sa po ngulmojnë për interesat e tyre palët tjera. Atëherë, çka iu duhen këtyre fëmijëve këta mësimdhënës, kjo qeveri, e këta prindër.



Comments

Popular posts from this blog

Të vërtetat

Snobizmi

Hija