Beautiful mind

Me këtë titull ka qenë një film shumë i mirë para ndoshta 20 viteve. Filmi bazohet në biografine e gjeniut amerikan të matematikës John Nash – i cili njihet për Teorinë e Lojës (Game Theory). Rolin e tij në film e luan aktori i njohur Russell Crowe.

Nash, përveçse gjeni, ka vuajtur nga probleme mendore, skizofreni dhe halucinacione. Ka komunikuar me njerëz të cilët nuk ekzistojnë në realitet, vetëm në mendjen e tij. Mirëpo, si duket halucinacionet kanë qenë aq reale, sa nuk ka mundur të e hetojë veten se është i sëmurë për një kohë të gjatë.
Në film paraqitet, në mes tjerash, se si i shfaqej një person me një kapele dhe tesha të zeza, nga shërbimi sekret, i cili i jepte detyra kinse për deshifrim të kodeve të armikut. Ai pastaj vetmohej, shkruante letra dhe i dërgonte në një adresë në emër të një personi të caktuar. Mirëpo, meqë ishte në mision sekret, askush nuk e dinte për këtë – madje as gruaja e tij.
Gjendja e tij sa vinte e rëndohej, halucinimet vinin duke iu përkeqësuar, derisa nuk mundi të fshihej më nga gruaja e tij.
Ajo i gjurmon dhe i gjenë letrat që i ka dërguar ky me vite të tëra, të grumbulluara të gjitha, e që nuk i kishte hapur askush. Shkon edhe në regjistrin civil e kërkon emrin e personit me të cilin Nash pohonte se komunikonte. Person me atë emer nuk ekzistonte në regjister. Kështu, mezi e bindi Nash-in, se është i sëmurë, duhet të kërkojë ndihmë mjekësore, dhe tërë këto janë vetëm imagjinata e tij, nuk kanë lidhje me realitetin.
Nash iu nënshtrua terapive adekuate dhe për një kohë iu zhduken halucinacionet. Por, pastaj filloi të ndjente efektet anësore që kishin barnat të cilat i merrte, sidomos efektet që ndikonin në jetën bashkëshortore. Për këtë arsye ai i ndërpreu barnat.
Me t’i ndërprerë barnat, prapë i erdhi agjenti secret me tesha të zeza. Nash filloi t'i bërtiste - ik se ti nuk ekziston! Kemi kërkuar në regjistrin civil, askund nuk figuron emri yt!
- Si mendon? - tha ai – a mendon se ne i regjistrojmë personelin tonë në regjistrin civil!?
Kështu, e bindi prap Nash-in dhe ai filloi si më parë të merrte detyra dhe shkëmbente mesazhe fshehurazi.
Për të mos e zgjatur më shumë - po m'doket e zgjata më shumë se duhet - se ndoshta shumë edhe e kanë parë këtë film.
Arsyeja pse e solla në kujtesë këtë storje është se, disa persona për pak sa nuk binden se qëndrimet e tyre kundër vaksinave janë të pabaza, e se duhet vaksinuar. Del një lajm dhe thotë - dhjetë vetë u infektuan edhe pse ishin vaksinuar. I kthen prapë në gjendjen e mëparshme - a p'e sheh!?, konspiracione, virusi nuk ekziston, vaksinat janë mashtrim, etj, etj.



Comments

Popular posts from this blog

Të vërtetat

Snobizmi

Hija