Bota e dimenzioneve

Para disa ditësh, në një rrjet social që ka të bëjë me librat (Goodreads) e kishin bërë një pyetje: cili libër i zhanrit fantazi ka ndikuar në formimin tënd kur ke qenë fëmijë?

U mendova për një kohë, duke i sjellë në mendje disa nga librat që i lexonim në atë kohë dhe nuk munda të vendos nëse ndonjëri prej tyre të ketë pasur ndonjë ndikim të madh në zhvillimin tim!

Më vonë pata dëgjuar për një libër që e lexojnë fëmijët në vendet tjera, që do të dëshiroja t'a kisha lexuar kur kam qenë fëmijë. Flatland i autorit Edwin Abbott - nuk e di nëse është i përkthyer në shqip. Autori aty përshkruan në mënyre satirike një botë të rrafshët me krijesa dy dimensionale në të (trekëndësha, katrorë, drejtkëndësha…), që nuk arrijnë të perceptojnë dot dimensionin lartë-poshtë - vetëm djathtas-majtas e para-mbrapa. 

Ky libër dhe të ngjashëm me të, nxitë imagjinatën, e stimulon reflektimin në lidhje me perspektivën e ekzistencës.

Si perceptohet një sferë kur kalon nëpër botën e trekëndëshit? Fillimisht si një pikë - kur sfera e prekë rrafshin, pastaj duke lëvizur sfera poshtë nëpër rrafsh, perceptohet si një rreth që sa vjen e rritet, pastaj rrethi fillon të zvogëlohet derisa mbetet vetëm një pikë, dhe në fund zhduket. Për një trekëndësh i cili nuk e përcepton dimenzionin e tretë, këto janë aktivitete paranormale, gjëra që shfaqen dhe zhduken prej ekzistencës!

I tërë ky eksperiment mendor, na sjellë në mendje analogjinë e krahasimit të asaj që ne perceptojmë, në relacionin me dimenzionet tjera më të larta. Nëse do të viheshim në kontakt me objekte nga dimenzione më të larta (katër e lartë), mbase edhe ne do t'i perceptonim si gjëra që shfaqen e zhduken.

Për dimenzionin e katërt thonë se është koha. Nëse është ashtu atëherë objekti katër-dimenzional lëvizë nëpër kohë, nuk është i bllokuar vetëm në të tashmen siç jemi ne.

Kam dëgjuar që disa teoricienë të astro-fizikes madje hipotetizojnë rreth asaj që njihet si materie e errët në univers, se ndoshta nuk është fare materie, por është manifestim i ndikimit gravitacional të dimenzioneve të larta, e që ne nuk i perceptojmë dot.



Comments

Popular posts from this blog

Të vërtetat

Snobizmi

Hija