Të ndryshosh mendjen
Në këtë univers gjithçka është në lëvizje, pothuajse asgjë nuk rrin në të njëjtën gjendje. Atomet, fotonet, grimcat tjera, të gjitha janë në lëvizje të përhershme. Në trupin e njeriut çdo qelizë rigjenerohet, aq sa thuhet se për një periudhë rreth dhjetë vjeçare, secili person, fizikisht nuk është më ai që ka qenë. Trupi, organet, indet, që përbëhen prej qelizave, ato qeliza gradualisht vdesin që të gjitha dhe zëvendësohen nga qeliza të tjera të reja.
Megjithë faktin se gjithçka ndryshon, kur vjen puna te mendja e njeriut, ekziston njëfarë përshtypje tek një shumicë njerëzish se njëriu duhet të ngelet me opinionet, mendimet, qëndrimet që i ka pasë dhe nuk duhet t'i ndryshojë ato. Disi perceptohet si jo-etike ndryshimi i mendjes.
Kjo mendësi ndoshta vjen si pasojë, kur kemi të bëjmë me zotimet, sepse kur njeriu në relacion me të tjerët zotohet për përmbushjen e marrëveshjeve të caktuara, atëherë në këtë rast ndryshimi i zotimit e dëmton palën tjetër. Prandaj kontrata apo marrëveshja patjetër duhet të ketë një afat kohor pas të cilit palët mund të kenë mundësi të ndërrojnë mendjen.
Edhe shkenca ndryshon vazhdimisht. Zbulohen fakte të reja të cilat hedhin dritë mbi të vërtetat shkencore duke i ndryshuar ato.
Një student me një rast i thotë Ajnshtajnit:
-Këto qenkan pyetjet e njëjta që kanë qenë edhe vitin e kaluar në test. Asgjë nuk paska ndryshu!
Ajnshtajni iu përgjigj:
-Po, e vërtetë, të gjitha pyetjet janë të njëjta; mirëpo sivjet, përgjigjet kanë ndryshuar.
Abraham Lincolni në një fjalim me të cilin i drejtohet Kongresit në mes tjerash i thotë edhe këto fjalë (përpjekje imja për t'i përkthyer dhe përshtatur fjalët e tij):
"Dogmat e së kaluarës së qetë, nuk janë të përshtatshme për të tanishmën e stuhishme. Koha sa shkon e bëhet më e vështirë, e ne duhet të ngritemi – me kohën. Meqë qështja jonë është e ndryshme, edhe ne duhet të mendojmë ndryshe, dhe të sillemi ndryshe. Duhet t'a tejkalojmë vetëveten, dhe kështu ta shpëtojmë vendin tonë."
Nietzsche mendjen e cila nuk ndryshon opinion nuk e konsideron fare mendje - mendjet të cilat nuk munden me e ndryshu opinionin e tyre; pushojnë së qeni mendje.
Alvin Toffler e konsideron aq jetike ndryshimin e mendjes kur thotë se, analfabet i shekullit 21 nuk është ai që nuk di shkrim e lexim, por ai i cili nuk di të mësojë, çmësojë dhe rimësojë.
Edhe në folklorin dhe dijen tonë kolektive e kemi thënien - u plak me një palë mend - që nuk i atribuohet dikuj si formë lëvdate, përkundrazi.
Comments
Post a Comment