Një San Cu për Kosovën
Gjenerali i njohur kinez i artit të luftës San Cu, ka thënë se suksesi apo dështimi në betejë është meritë kryekëput e udhëheqësit.
Ndoshta e keni dëgjuar
storien ku (sipas legjendës) San Cu shkon në pallatin e perandorit kinez dhe në
mes tjerash i thotë se është i aftë që secilin individ me e shndërru në ushtar.
Perandori si duke u tallur i thotë – a mundesh edhe këto shërbëtoret e pallatit
me i ba ushtare?
Sigurisht! – u përgjigj
San Cu.
Çka bani San Cu?!
I ndau ato në dy grupe, prej secilit grup e zgjodhi nga një udhëheqëse. I shpjegoi
instruksionet dhe detyrat që priten prej tyre, që kishin të bënin me demonstrim
të aftësive të caktuara ushtarake që ato duhet ti përvetësonin, i përsëriti edhe
njëherë, derisa u sigurua se ato i kuptuan mirë.
Kur erdhi koha që
ato të dëshmonin veten, San Cu kërkoi nga dy udhëheqëset e grupeve që të japin urdhërin
për të filluar. Shërbëtoret e pallatit vetëm qesheshin në mes vete. E kishin marrë
me lojë e shaka krejt këtë punë.
Atëherë, San Cu nxori
shpatën nga brezi dhe ja u fluturoi kokën dy udhëheqëseve. Në vend të tyre
caktoi dy udhëheqëse të tjera...
Pa pesë nevojë me
e zgjatë më shumë, thuhet se shërbëtoret pas këtij rasti mahniten të pranishmit
me përformancen e tyre.
Filozofia që të kërkohet
përgjegjësi nga koka, duhet të aplikohet në sistemin e arsimit (dhe jo vetëm)
tek ne. Secili udhëheqës, nga kryeministri, ministri, drejtorë, deri te mësimdhënësi
duhet ta kenë të qartë se cilat janë rezultatet qe duhet t’i mbërrijnë. Në të kundërt
i shkon koka jo, por udhëheqësi që nuk i mbërrin ato rezultate minimale që priten prej tij, nuk do
të duhej të qëndronte më në pozitën prej ku e pengon progresin.
Shpesh e dëgjojmë
arsyetimin se, shoqëria, mentaliteti duhet të ndryshojë - pa ndryshuar
mentaliteti popullor nuk mund të bëhet asgjë. Me një fjalë, pritet ndryshim me një
qasje nga poshtë-lart. Pritet që të ndodhë paraprakisht ndonjë evolucion
kulturor apo biologjik, që do ti duheshin ndoshta mijëra vite prova e dështime,
që të shpresohet pastaj se do t'i vendoste gjërat në vendin e vet. Përkundrazi, jo qasje nga bishti te
koka, por e kundërta, një qasje sipas dizajnit inteligjent nga koka, një sistem
i kontrollit të cilësisë dhe përgjegjësisë, në arsim apo sferat tjera.
Comments
Post a Comment