Dhe vaksina erdhi

 ...Dhe vaksina erdhi
Nëpër fytyrat tona rrëshqiti një gëzim
Dhe ndër zemrat tona ngriti një fole
E një jetë e bukur e një jetë e re
Me dëshira të shumta, po buzëqesh në lulëzim.

Migjeni po të ishte sot, sigurisht se këto vargje do t’ia kushtonte vaksinës, e jo pranverës. Sepse edhe ai vdiq i ri nga një sëmundje të cilën ne sot pothuajse e kemi harruar që ekziston - tuberkulozi. Sëmundje kjo vdekjeprurëse në atë kohë, ndërsa e shërueshme pak kohë më pas. Madje e parandalueshme përmes vaksinës. Vaksina e parë që e merr njeriu sot - pothuajse ditën kur lindë - është pikërisht për parandalimin e tuberkulozit. Megjithëse në Kosovë numri i rasteve me tuberkuloz është më i lartë në krahasim me vëndet evropiane - aq sa kam informacion.

Por, ja që kjo kujtesë e vdekjes dhe vuajtjes njerëzore është zbehur e nuk na bën shumë përshtypje. Prandaj, mjaft njerëz tek ne nuk e ndajnë këtë gëzim për ardhjen e vaksinës. Madje, janë kundër vaksinës anti-COVID19 në veçanti, apo vaksinimit në përgjithësi. Më shumë preferojnë me i besu një "eksperti" i cili pohon se vaksina është e keqe (ndërsa sëmundja e mirë).

Kur mirret vesh se vaksinat janë të prodhuara nga AstraZeneca, kjo akoma me shumë e shton dyshimin tek njerëzit, për shkak se shumë shtete fillimisht e pezulluan përdorimin e saj mbi bazën e disa dyshimeve. Derisa u vërtetua se ato dyshime ishin të pabaza dhe se vaksina është përgjithësisht e sigurtë për përdorim.

Pata shkruar një storje në lidhje me vaksinën kundër Polios. Për t’u ndërlidhur me storjen. Në Kaliforni në atë kohë, pas vaksinimit fatkeqësisht kishin pasë vdekë dhjetë fëmijë. Të gjithë të vaksinuar nga një kontigjent i vaksinave të prodhuara nga një laborator. Natyrisht, shteti merr masa të pezullimit dhe inspektimit derisa vërtetohet se arsyeja ishte se laboratori gjatë procesit të prodhimit të vaksinave, në vend të rrjeteve të asbestit kishte përdorë rrjeta qelqi dhe virusët e gjallë (në vend se të vdekur) kishin depërtuar në vaksinë. Këto incidente çdoherë kanë impakt negativ sepse ec e bindi njerëzit pastaj, edhe ashtu me njëmijë dyshime!

Vaksina ekziston që para të 1700-tave dhe është dëshmuar efektive. Nuk është diçka e re, komplot botëror apo gjëra të tilla.

Po e theksoj, unë nuk jam ekspert i kësaj fushe, të gjitha i kam me të lexuar. Mirëpo, ajo që dua të them është se mendoj se duhet të dëgjohen ekspertët dhe njerëzit me kredenciale. T’i shmangemi opinioneve të individëve - qofshin ata ndonjëherë edhe doktorë, sepse çdoherë del dikush që është kundër krejt të tjerëve. Ka dëshirë të shesë mend, të tërheqë vëmendje apo arsye tjera.

Comments

Popular posts from this blog

Të vërtetat

Snobizmi

Hija