Popull i lumtur
Kosova paska dalë goxha mirë në radhitjen e shteteve të lumtura të botës, që organizohet nga OKB.
Pse jemi të lumtur?
Unë nuk jam ekspert i kësaj fushe mirëpo, sa kam lexuar e dëgjuar, lumturia nga një aspekt spjegohet edhe nëpërmjet atij që quhet - sistemi i shpërblimit — në tru.
Si funksionon sistemi i shpërblimit? Kur individi dëshiron të arrijë diçka dhe e arrinë atë, në tru lirohen hormone të lumturisë (endorfina, dopamina) që bëjnë të ndjehesh mirë, i relaksuar, i gëzuar, i kënaqur, i lumtur - pra, i shpërblyer.
Sipas hulumtimeve që janë bërë në këtë fushë, është konstatuar se niveli më i lartë i këtyre hormoneve (tek shimpanzetë) është regjistruar para arritjes së një qëllimi. Ndërsa, kur arrihet qëllimi, niveli i hormoneve bie. Dmth kënaqësia është më tepër në "pritje të shpërblimit" e më pak në arritje të tij.
Në bazë të kësaj, është konstatuar se niveli më i lartë i hormoneve të lumturisë është kur pritja për realizimin e qëllimit është me probabilitet 50/50. Nëse probabiliteti qoftë rritet në 75% apo zvogëlohet në 25%, niveli i hormoneve - pra lumturisë, bie.
Mbi bazën e kësaj spjegohet edhe varshmëria që disa persona kanë ndaj bixhozit apo lojërave të fatit, por edhe adikcioneve tjera. Sepse varshmëria apo adikcioni spjegohet nëpërmjet endorfines dhe dopaminës (hormoneve të lumturisë).
Kështu që, ndoshta arsyeja se pse jemi popull i lumtur është - sepse gjatë gjithë kohës jemi në "pritje" se do të bëhet mirë. E kjo pritje pra, sjellë kënaqësi më shumë sesa nëse vërtet ndonjëherë bëhet mirë :)
Comments
Post a Comment