Pse duhet me e lexu Metamorfozen e Kafkes?
Për ata që nuk e kanë lexuar këtë libër, po e përmbledh me pak fjalë: një mëngjes, një njeri zgjohet dhe e sheh veten të shndërruar në një brumbull. Fillimisht i shkon në mendje puna: si të arrijë në punë me kohë, qortimi i shefit, frika se mos e humbë vendin e punës, etj. Akoma i mbetet inercioni i përditshmërisë, duke mos e kuptuar realisht fatkeqësinë që i ka ndodhur. Më pas, kur anëtarët e familjes hyjnë në dhomë dhe e shohin, ikin të tmerruar. Fillimisht ai ndjen mirëkuptim për ta; natyrisht, pamja e tij e neveritshme ishte e papërballueshme për këdo që e shihte. Kur motra e tij hynte në dhomë për t'i lënë mbeturina për ushqim (sepse tani ai ushqehej me mbeturina), ai fshihej që të mos e neveriste motrën. Kur vinin mysafirë, familja vraponte për të mbuluar dritaret dhe dyert, nga frika se mos hallku e shihte djalin e tyre si ishte bërë. Me kalimin e kohës, ai humbi durimin dhe mirëkuptimin e mëparshëm, duke filluar të kacavirrej nëpër mure, dhe nuk i interesonte më nëse të tjerët neveriteshin. Një ditë, tentoi të dalë nga dhoma ku ishte mbyllur, por babai i tij e goditi me një shkop dhe e mbyti. Ata thanë: "Pastrone këtë mbeturinë sa më shpejt me fshesë", dhe kështu u çliruan prej tij, për të vazhduar më pas të hanë drekën e tyre.
Ku është morali i këtij tregimi?
Kur je shëndoshë e mirë, kur financiarisht qëndron mirë dhe të tjerët përfitojnë prej teje, të gjithë të duan. Por po u sëmure, u varfërove, apo mbete pa punë, kanë për të filluar të të urrejnë edhe ata më të afërtit dhe më të dashurit e tu. Do ndjejnë neveri, do turpërohen prej teje, dhe mezi do presin të të varrosin, për të vazhduar më pas me nxitimin e lugëve dhe dhëmbëve, duke ngrënë si të tërbuar.
Por, ndoshta tregimi përçon edhe të kundërtën e asaj që thashë. Ndoshta thekson rëndësinë e empatisë dhe dashurisë për ata që shndërrohen në "brumbuj".
PS. Këtë libër e kam lexuar moti, por arsyeja pse më ra ndërmend tani është sepse ma kujtoi vajza ime, e cila e ka për detyrë në shkollë, dhe e komentuam së bashku.
Comments
Post a Comment