Guximi për të qenë frikacak
"That man is not truly brave who is afraid either to seem or to be, when it suits him, a coward."
"Nuk është trim i vërtetë ai që ka frikë të paraqitet apo të jetë, kur e lyp nevoja, frikacak."
(Edgar Allan Poe)
Më pëlqejnë këto thënie paradoksale, që në shikim të parë duken kontradiktore, por nuk janë. Për të kuptuar këtë thënie të Poes duhet të ndalemi pak dhe të mendojmë. Si është e mundur që njeriu të tregojë trimëri duke qenë frikacak? As unë nuk jam plotësisht i sigurt, por do të shpreh opinionin tim se si e kuptoj këtë thënie.
Kjo më kujton filmin The Grey me Liam Neeson në rolin kryesor. Ky film është një nga ato që më ka lënë më së shumti përshtypje. Jo vetëm për arsyet artistike që shpërfaq, por sepse prek thellë temën e ekzistencializmit, ose më konkretisht absurdizmin.
Filmi duket i thjeshtë në dukje: një grup njerëzish që punonin në Alaskë, gjatë kthimit me avion, përjetojnë rrëzimin e avionit në një pyll. Një numër i madh udhëtarësh humbin jetën, ndërsa një grup i vogël mbijeton. Pasi shpëtuan nga rrëzimi, tani duhet të mbijetojnë nga të ftohtit, egërsia e natyrës dhe, mbi të gjitha, sulmet e ujqërve. Dikush prej miqve të mi më pati thënë: "Çfarë ka interesante aty që t’i hanë ujqit?" Është e vërtetë që, përsa i përket ujqërve, nuk ka asgjë interesante, por poenta nuk është te ujqit. Ujku ka vetëm një rol simbolik. Tema është absurdizmi – indiferenca e natyrës që në çdo moment tenton të na vrasë.
Nietzsche thotë se "të jetosh është të vuash, të mbijetosh është t’i gjesh kuptim asaj vuajtje." Por, çfarë ndodh nëse nuk mund t’i gjejmë kuptim asaj vuajtje? Si mbijetojmë? Kushdo që e lexon Mitin e Sizifit të Albert Camus, ai aty propozon se nuk ka nevojë t’i gjesh kuptim vuajtjes; thjesht heq dorë nga kërkimi i kuptimit të saj. Ashtu si Sizifi në mitologjinë greke, i cili është i dënuar të rrokullisë gurin lart e poshtë kodrës, Camus sugjeron se duhet ta imagjinojmë Sizifin të lumtur.
Të kthehem sërish te filmi. Në përpjekjet për mbijetesë, ky grup njerëzish përpiqeshin të bashkëpunonin, përveç njërit. Diaz ishte personazhi cinik, i cili për çdo gjë që përpiqeshin të tjerët, reagonte me përbuzje. Dikur i thanë: "Çfarë është puna jote që për çdo gjë po kundërshton?" Ai filloi të llomotiste: "Unë dua të jetoj. Unë nuk eci mbi këtë tokë me frikë." Liam, që natyrshëm udhëhiqte grupin, iu përgjigj: "Unë jam i tmerruar dhe nuk më vjen fare turp për këtë. Çfarë ka të keqe të jesh i frikësuar? Nëse nuk je i frikësuar," iu drejtua Diazit, "atëherë je budalla, ose më keq, je gënjeshtar." Aty filluan të përlesheshin fizikisht ndërkohë që i sulmuan ujqit.
Ky, mendoj unë, është kuptimi i vërtetë i trimërisë përmes frikës. Në traditën tonë, kësaj kategorie njerëzish u thonë "trim budalla."
Comments
Post a Comment