Debat civilizues

Shqiptarët, këta që jemi, me këto fe që kemi, herë me ma shumë fe, herë me ma pak fe, herë pa fe fare - jemi këta që jemi. Kushdo që pretendon se ia do të mirën këtyre njerëzve, fillimisht duhet t'i pranojë ashtu siç janë. Është pothuajse e pamundur që me ia dashtë të mirën dikujt edhe në të njëjtën kohë me e gjyku, me e sha, mos me e respektu atë.

Nëse shikohet me kujdes, raportet tona përgjatë historisë kanë qenë poashtu jo të njëtrajtshme, herë kundër Romës, herë me Romën, herë kundër Perandorisë Osmane, herë me Perandorinë Osmane, herë ma shumë e herë ma pak, e kështu me radhë. Unë e di një fakt për shembull, akoma pa ardhë Perandoria Osmane në trevat shqiptare (arbënore), Karl Topia në betejën e Savrës në vitin 1385 krijon aleancë me sulltanin dhe mbështetet nga ana e tij me 20 mijë trupa osmane në luftë kundër Gjon Balshajt. Me një fjalë, që prej fillimit si duket kemi qenë edhe me Perandorinë Osmane edhe kundër saj, apo herë me e herë kundër. Siç kemi qenë pastaj herë me fashizmin (SS Skenderbeg) herë me komunizmin (partizanë), apo edhe me ata edhe me këta. Prandaj, është problem kur njeriu i sotëm merr qëndrim bazu në rrethana edhe kontekste të ndryshme historike, duke pranuar një palë dhe duke refuzuar palën tjetër.

Pastaj, njeriu modern shqiptar, në një shoqëri të lirë, nuk duhet të bjerë në grackën e mendësisë fashiste duke projeksionuar një profil se si duhet me qenë njeriu shqiptar. Ta reduktojë atë profil duke u nisur nga preferencat personale, se çfarë feje apo pafeje, kulture, veshje, bindje, etj, duhet të ketë ai. Fundja fashizmi këtë karakteristikë e ka, të luftojë të gjitha ato që përceptohen si vlera të huaja për kombin. Por, kjo mendësi është dëshmuar historikisht se sjellë vetëm dëme e fatkeqësi në botë, e shqiptarët nuk besoj se duhet t'i hyjnë kësaj rruge.

Shqiptarët duhet që debatet edhe në lidhje me historinë, fenë, politikën, kulturën, vlerat, e gjithçka tjetër duhet t'i bëjnë në mënyrë civilizuese. Duke tregu maturi, dashamirësi, si pjestarë të një bote të lirë ku secili duhet të ndjehet i lirë në shprehje, mendim, besim, pa e gjyku dhe cënu tjetrin.

Nëse dikush për arsye personale zgjedh një fe apo pafe, këtë e bën sikur në shumë prej shoqërive të civilizuara ku njerëzit zgjedhin se mbi çfarë vlera dëshirojnë të ndërtojnë jetët e tyre - sipas vullnetit të lirë. Edhe pse unë jam determinist dhe nuk besoj në vullnet të lirë. Por, për hirë të argumentit le të themi sipas iluzionit të vullnetit të lirë :)

Kryesorja, për mos me shku për lesh si shoqëri, bëjmë mirë të tregohemi më shumë respektues - siç besoj se kemi qenë deri tani - ndaj bindjeve, besimeve, sepse fundja të gjitha këto janë vlera të përbashkëta që ne i ndajmë me njëri-tjetrin.

Ju falem’nderit!



Comments

Popular posts from this blog

Të vërtetat

Snobizmi

Hija