Betimi i programerit
Dje, nëpër media e rrjete sociale vështirë se të zinte syri diçka tjeter përpos imazheve të çantave të mbushura me €€€ dhe arrestimeve nga ana e policisë dhe prokurorisë. Nuk është se kam pas shumë kohë me i përcjellë të gjitha detajet e kësaj ngjarje - të them të drejtën - mirëpo ma zuri veshi një lajm për arrestimin e edhe një programeri në tërë këtë ngjarje.
Natyrisht, asesi nuk e paragjykoj epilogun e këtij procesi dhe siç thuhet, secili person i arrestuar është i pafajshëm deri në vendimin e gjykatës.
Meqenëse unë vet jam pjesë e komunitetit të programerave - forme kjo interesante e manifestimit të jetës 🙂 m'u kujtua një ligjëratë e një personaliteti të njohur për programerat - Robert Martin apo i njohur ndryshe si Uncle Bob (në vazhdim të tekstit - Aga Bob).
Aga Bob njëherë e pat elaboru pozicionin e programerit prej një perspektive gati kozmike. Nëse e mendon, rrallë apo fare nuk gjenë sot pajisje apo mjet i cili nuk funksionon përmes një softueri të programuar nga programeri. Duke fillu prej TV, automjeteve, fabrikave, bankave, aeroplanave, anijeve kozmike, deri edhe pajisjet e thjeshta shtëpiake si frigoriferi - të gjitha funksionojnë përmes softuerit që e ka zhvillu programeri.
Me një fjalë - botën e udheheqin programerat. Mirëpo, bota nuk e di këtë, as programerat nuk e dijnë.
Prandaj - thoshte Aga Bob - është e domosdoshme të formalizohet një lloj "betimi i programerit", sikur që e kanë bie fjala, mjekët, avokatët, gjykatësit… Në atë betim të perfshihen deklarata të cilat nuk e detyrojnë programerin që të përfshihet në detyra etikisht ambigue.
Përndryshe - paralajmeronte Aga Bob - nëse ne (profesionistë të kësaj lamie) nuk e bëjmë një gjë të tillë, do të nevojitet një tragjedi e përmasave të mëdha - e cila veç vonim se shpëtim nuk ka - e atëherë vijnë njerëzit e politikes, apo njerëzit tjerë që nuk marrin vesh në këtë sport edhe t'i vendosin kufizimet, të kallxojnë qysh me programu e qysh jo.
Rrëzoheshin Boeing 737-shat si zogjë - në fund dolën thanë - arsyeja është tek softueri i shkruar keq.
Skandali i Volkswagen-it në SHBA - që i patën nxënë me Polo për dore - në fund fare, dolen njerëzit e biznesit të VW edhe u justifikuan duke thënë - programerat nuk e di cka kanë pështjell diçka në softuer!
Eh, sikur të kishte një betim të programerit, vjen njeri i biznesit edhe për shkaqe të reduktimit të kostove të thotë:
- Le testimin e softuerit, po veç kryeje qysh të mundesh ma shpejt!
+ Krejt në rregéll, veç unë nuk muj pa e testu se e kom ba betimin.
- Po ani çka ka lidhje?
+ Neeeiiiin!
Kështu që, programera të të gjitha platformave, gjuhëve, e framework-ave - bashkohuni ✊🙂
Comments
Post a Comment