Të vërtetat
Do të përpiqem me u fokusu në atë se si njerëzit i marrin për të vërteta ato që i marrin, përmes të cilave e shohin botën që i rrethon. Në përgjithësi njerëzit i marrin të vërtetat nga tri perspektiva. Munden me qenë ma shumë apo më pak kategori por mua po me duhen tri, sepse në secilin variant kategorizimi është vetëm konceptual.
Të vërtetat objektive - shkenca me tërë aparatin e saj është në funksion të etablimit të këtyre të vërtetave. Të vërteta që janë të vërteta në vetvete, pavarësisht besimeve apo bindjeve individuale. Mund të besosh gjithë diten se toka është e sheshtë, por kjo nuk e bën atë të sheshtë - kjo pra është një e vërtetë objektive.
Të vërtetat personale - në këtë kategori hyjnë ato që njerëzit pavarësisht gjithçkaje i mbajnë për të vërteta personale, siç mund të jenë besimet dhe bindjet e ndryshme. Diçka që është e vërtetë për njërin mund të mos jetë për tjetrin.
Të vërtetat politike - këtu hyjnë narracionet dhe propaganda. Nëse një narracion i caktuar përsëritet-e-përsëritet vazhdimisht, dikur njerëzit kanë me nisë me e besu si të vërtetë. Edhe kanë me fillu me e pa botën përmes saj.
Eh tash, të gjithë njerëzit e formojnë perceptimin e botës që na rrethon, mbi të vërtetat që kanë nga secila prej këtyre kategorive. Prej individit në individ dallimi është në shkallën e animit, se kah cila kategori anon më shumë. Dikush anon apo iu jep përparësi më shumë kah të vërtetat objektive, dikush kah apo personale, e shumica kah ato politike apo propagandistike.
Pse mendoj se shumica e njerëzve e shohin botën përmes atyre të vërtetave që u servohen përmes propagandës? Sepse për kah natyra, truri i njeriut është dembel. Aftësia për me pasë mendim personal apo mendim analitik kërkon punë për me u zhvillu. Prandaj, shumica e njerëzve preferojnë atë që Daniel Kahneman e quan fast thinking (të menduemit e shpejtë).
Comments
Post a Comment