E vërteta
E vërteta është e vërtetë edhe nëse askush nuk beson në të, ndërsa e pavërteta është e pavërtetë edhe nëse të gjithë besojnë në të.
Këtë thënie e hasim rëndom nëpër disa faqe të rrjeteve sociale të cilat postojnë - thënie të mençura.
Por, edhe pse kjo thënie tingëllon mençur dhe shumë njerëz e përdorin për t'ia dhënë një mbështetje përforcuese opinioneve të tyre të cilat i besojnë për të vërteta, megjithatë jo për të gjitha të vërtetat thënia qëndron.
Kjo për faktin se të vërtetat nuk janë të gjitha të njëjta. Thënia e lartë-shënuar mund të vlejë për disa të vërteta që janë objektive, ato që janë të vërteta në vetëveten e tyre, edhe sikur të mos ekzistonte asnjeri që t'i perceptojë, t'i kuptojë apo t'i besojë. Edhepse në rrafshin filozofik ka debate në lidhje me atë se a ka të vërteta vërtetë objektive apo jo - nuk po hyj andej. Me të vërteta objektive e kam fjalën për të vërtetat që i studjon shkenca. P.sh. Toka rrotullohet rreth Diellit, edhe nëse të gjithë njerëzit nuk do ta besonin këtë, ajo prapëseprapë rrotullohet rreth tij.
Në anën tjetër, ekzistojnë disa të vërteta (subjektive), vërtetësia e të cilave varet kryekëput nga të besuarit e njerëzve në to. P.sh. vlera e parasë! Vlera e parasë është e vërtetë vetëm për aq sa njerëzit besojnë në të, nëse njerëzit nuk do të besonin në vlerën e saj, paraja nuk do të kishte vlerë.
Pra, jo të gjitha të vërtetat janë të vërteta pavarësisht nëse njerëzit besojnë apo nuk besojnë në to.
Comments
Post a Comment