BESS-a

Sipas legjendës, dikur moti, tek ne ekzistonte diçka që quhej besa. Besa, besë, besën t'a kam dhënë… Besoj se të gjithë e dijmë në teori se çka është besa, edhepse në teori nuk ka dallim në mes të teorisë dhe praktikës, e në praktikë, ka. Unë kësaj radhe e kam fjalën për një besë tjetër - BESS, akronim për Battery Energy Storage System apo "sistemi për ruajtjen e energjisë në bateri".

Më kujtohet njëherë një dialog për energjinë me një profesor i cili ka qenë edhe në pozita të institucioneve në qeveritë e kaluara, i cili kishte udhëtuar, kishte parë e dëgjuar, nuk do mend se hiqej mjaft i zgjuar. Unë, si e zeza e vetës që jam, me intereson të dijë çdo gjë, për shembull lexoja në atë kohë për avancimin e baterive dhe hulumtimet që bëheshin në këtë fushë, me idenë për përdorim të baterive me kapacitete të mëdha për ruajtje të energjisë. Kur unë e përmenda këtë, profesori u soll disi si me njëfarë ironie, demek çfarë baterie, energjia ruhet përmes levizjes së ujit poshtë-përpjetë. Kur u përmendën bateritë, si duket në mendjen e ndritur të profesionit u shfaq imazhi i baterive AA. Nejse, të mos e zgjas më shumë…

Hak hiqmeti i Zotit, tash erdhi vakti që ky sistem i ruajtjes së energjisë në bateri (BESS) të aplikohet edhe te ne. Kapaciteti prej 200MWh nuk është se na nxjerr prej krizës krejtësisht por ndihmon goxha mirë. Absolutisht nuk e shoh të arsyeshme pse dikush mund të jetë kundër një projekti të tillë.

Unë nuk jam ekspert i kësaj fushe natyrisht, por meqë nuk jam edhe tërësisht shkencërisht i palexuar, i lexova disa artikuj në lidhje me aplikimin e BESS në vende të ndryshme si: SHBA, Gjermani, Japoni, etj. Kjo teknologji, megjithëse akoma jo shumë e përhapur, teorikisht është mjaft e avancuar, udhëhiqet përmes softuerit dhe përdor Machine Learning algoritme për një efikasitet dhe efiçencë sa më të madhe. 

Gati të gjitha hulumtimet e kishin një të përbashkët kur vinte puna tek implementimi. Për implementimin e suksesshëm të kësaj teknologjie rekomandohej domosdo angazhimi i ekspertëve të fushës, përndryshe nëse nuk angazhohen njerëz me ekspertizë specifike për këtë teknologji, atëherë rriten shumë gjasat që të mos funksionojë si duhet.

Prandaj, që të mos shkojë dëm tërë ky investim, shpresoj që qeveria jonë të angazhohet seriozisht në rekrutimin e kuadrove të huaj që e njohin mirë këtë punë, e jo të vendosë në krye të projektit bylmeza si shëmbulli i disa profesorëve vendor.



Comments

Popular posts from this blog

Të vërtetat

Snobizmi

Hija