Frutat
Fruta dhe perime. Po them fruta, sepse në Kosovë themi "pemë dhe perime". E kam pasë njëherë një përjetim në një ëmbëltore të Tiranës në lidhje me pemë (fruta). Shkuam me disa miq në një ëmbëltore në qendër të Tiranës, kërkova akullore me pemë, ndërsa ajo çupa simpatike që punonte aty - nuk më kuptonte dot.
-Pemë bre, a s'e di ti çka janë pemët?
-Pemët, po... këto - u shpreh me njëfarë dyshimi dhe bëri me dorë kah rruga ku ishin të mbjellë disa drunjë.
Aty e kuptova se ku isha ngatërruar, me pemë kuptohej vetëm trungu, jo edhe fruti. Kushedi se çka paska menduar vajza tironase, këta kosovarët po hajkan drunjë, bujashka. Shpresoj të ketë menduar se i hamë në formë të peletit, se po mendoi se i hamë në formë byku apo pluhuri të sharrës me t'hallall. Të mos flasim se këto ditë dimri, po i inhalojmë në formë tymi bashkë me qymyr…
Kur jemi te frutat, tregonte një mik i imi që i ka vëllezërit jashtë, në një prej shteteve evropiane, e të cilët atje merren me biznesin e frutave dhe perime. Tregonte ky miku, kur kishte pasë shku në vizitë njëherë, shkon në dyqan edhe po i sheh që blerësit përveç se blenin ndonjë frut (fruta me copë, bostan me grishë - tregonte, sepse në atë kohë te ne këto shiteshin vetëm me kilogram), ata edhe vidhnin ndonjë frut. Ne mendojmë se vetëm te ne vjedhin njerëzit, ndërsa jashtë nuk ndodhë një gjë e tillë. Por, ja që edhe ata po vidhkan ngapak!
-Vëlla, këqyr se ky i morri disa fruta - po i afrohet ngadalë ky të vëllait.
-Shuj - tha - le të vjedhin ngapak, pak blejnë e pak vjedhin, me ba me ju thonë, ma nuk vijnë me ble, me duhet me e mbyllë dyqanin.
Në kontekstin tonë të hajnisë. Edhe ne e dijmë se si te ne vidhet ngapak e nga shumë në të gjitha sferat, nëpër tregje, nëpër dyqane… Edhe kultura e justifikumit dhe tolerimit të hajnisë nuk është se mungon.
Sidomos në politikë, shpeshherë e kam përshtypjen se edhe shoqëria jonë jeton me dilemën, nëse më shumë ia vlenë të mbyllet një sy ndaj hajnisë - sikur në rastin e dyqanxhiut të frutave të cilit më shumë i leverdiste të toleronte pak hajni sesa të reagonte ndaj saj e të rrezikonte mbylljen e biznesit.
Comments
Post a Comment