Continuum
Po e filloj përmes udhëtimit në botën e ngjyrave. Kur shohim një lule trandafili - sa e bukur, ngjyrë e kuqe. Në mendje e kemi kategorinë e ngjyrës së kuqe dhe aty e vendosim edhe trandafilin. Ngjashëm edhe me lulet apo objektet tjera, varësisht prej spektrit të dritës që ato reflektojnë në syrin tonë; në mendje i kemi disa kategori që i quajmë ngjyra dhe aty i vendosim objektet që i shihim, nëse i kategorizojmë sipas ngjyrave. E kuqe, e kalter, e gjelbër, e bardhë…
Kur fëmijët e mi panë një lopë dhe dëgjuan se ka ngjyrë të kuqe - u habitën - jo bab, është ngjyrë portokalli! Në të kaluarën në trevat tona, me gjasë nuk kishte arritur akoma fruti i portokallit i cili me vete do të sillte edhe kategorinë e re, prandaj lopët kategorizoheshin si të kuqe.
Pra, në mes të kuqes dhe të verdhës paska edhe ngjyrë tjetër - portokalli. Në realitet, jo vetëm një, por ka numër të shumtë të ngjyrave në mes të cilave do ngjyra. Prej një ngjyre në tjetrën është një vazhdimësi ngjyrash që gradualisht duke ndryshuar pak-nga-pak kalojnë nga njëra ngjyrë në tjetërn. Kësaj vazhdimësie i thonë continuum.
Ajo që dua t'a theksoj përmes shembullit të ngjyrave është - të menduarit përmes kategorive. Mendja njerëzore vazhdimisht krijon kategori, ku pastaj e spjegon më lehtë realitetin që e rrethon përmes tyre. Të menduarit përmes kategorive i ka anët e veta pozitive, mirëpo e cungon realitetin sepse realiteti është continuum - vazhdimësi.
Në jetë gati të gjitha gjërat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe nuk ka ndonjë kufi të prerë në mes tyre, ndërsa të menduarit përmes kategorive - ekzagjerohen këta kufinjë.
Edhe për stinët kemi katër kategori: pranvera, vera, vjeshta dhe dimri. Mirëpo, ne realitet e dijmë se ndërrimi i stinëve është gradual; nuk ndodhë përnjëherë - dmth continuum. Kategoritë janë vetëm në mendjen njerëzore e jo në realitet.
Edhe në nivel kozmik, nëse i konsiderojmë hapësirën dhe kohën si dy kategori; Albert Einstein vjen përmes teorisë së relativitetit dhe dëshmon se në mes hapsirës dhe kohës është continuumi hapsirë-kohë, dmth këto dyja nuk janë të ndara.
Çka të themi pra për kategoritë që i krijojmë në raportet tona shoqërore? Stereotipet e njerëzve, ne bazë të përkatësisë, dukjeve dhe sjelljeve komplekse. Kategorizimi i njerëzve në të mirë e të këqinj, të drejtë e të padrejtë…
Pra, më pak kategorizime, më shumë continuum.
Comments
Post a Comment