Inteligjenca artificiale - gjuha dhe propaganda
Deri tash njeriu dhe teknologjia nuk është se janë kuptuar shumë mirë në mes veti. Ndërveprimi i njeriut me teknologjinë është realizuar kryesisht përmes prekjeve - klikimeve, shtypjes së tasteve, prekjes në ekrane, e kështu me radhë. Per m'e zhvillu një interaksion më të ndërlikuar me makina është dashur të mësohen gjuhët e makinave - gjuhët programuese - të cilat janë komplekse dhe i kanë limitet e veta. Me një fjalë, njeriu dhe makina kanë përdorur gjuhë shumë të ndryshme prej njëra-tjetrës.
Tani si duket ky hendek i komunikimit të ndërsjellë njeri-makinë ka filluar të ngushtohet. Me avancimin e modeleve gjuhësore të inteligjencës artificiale, makina secilën herë e më shumë po arrin t'a kuptojë gjuhën natyrore njerëzore.
E çfarë rëndësie ka gjuha për njeriun?
Përmes gjuhës njeriu përpiqet m'e shpreh atë që e mendon. Nëse do ta reduktonim në terma teknik, gjuha është një lloj kodi përmes të cilit kodifikohet mendimi. E nëse e marrim për bazë dimensionin filozofik të Dekartit - mendoj prandaj jam - del se gjuha ka ndikim jo vetëm në të menduarit njerezor, por edhe me vetë qenien e tij.
Gjuha siç e dijmë, ka një ndikim dhe fuqi të jashtëzakonshme që prek të gjitha sferat e jetës njerëzore. Gjuha shpeshherë e bën dallimin ndërmjet luftës dhe paqës, marrëveshjes dhe armiqësisë, informimit dhe propagandës, gënjeshtrës dhe të së vërtetës… Përmes gjuhës bëhet art, filozofi, madje edhe sentimenti religjioz, mund të themi se bazën e ka pikërisht te gjuha.
Gjuha pastaj veç tjerash ka rol krucial edhe në propagandë politike apo ideologjike. Ndërsa tani, përdorimi i mjeteve të avancuara të inteligjencës artificiale për propagandë politike e ideologjike ka një potencial mjaft të rrezikshëm dhe shqetësues në këtë aspekt. Kjo teknologji që ndërhyn në sistemin operativ të njerëzve e që është gjuha (siç shprehet historiani Yuval Noah Harari), tash mund të përdoret edhe për shtrembërim të informacionit, duke i targetuar audiencat e caktuara, dhe duke i amplifikuar narrativat e caktuara.
Cilat janë disa nga rreziqet kryesore?
- Manipulimi i masës: propaganda përmes mjeteve të inteligjencës artificiale mund të eksploatojë shumë më tepër dobësitë e natyrës psikologjike dhe paragjykimet e individëve, për të formësuar kështu opinionet dhe bindjet që ata kanë. Përmes algoritmeve të sofistikuara, sistemet e IA mund të analizojnë sasi enorme të të dhënave rreth individëve, për të shpërndarë pastaj mesazhe përmes të cilëve rrisin shumë gjasat e manipulimit të masës.
- Amplifikimi i dezinformatave: algoritmet e IA me një shpejtësi shumë të madhe mund të shpërndajnë informacione të rreme apo të shtrembëruara nëpërmjet platformave të rrjeteve sociale dhe kanaleve tjera online. Kështu mund të krijojnë iluzionin e përkrahjes masive për një ideologji të caktuar apo agjendë politike, duke e bërë të vështirë për lexuesin që të bëjë dallimin ndërmjet një përmbajtjeje të vërtetë prej një përmbajtjeje të amplifikuar artificialisht.
- Dhomat e jehonës (ang. echo chambers) dhe polarizimi: dhoma të jehonës janë ambientet në të cilat individi ballafaqohet vetëm me opinionet që përputhen me bindjet e tij, ashtu që ato bindje përforcohen dhe idetë tjera nuk mirren parasysh. Kjo mund të çojë në rritje të polarizimit brenda shoqërisë, për shkak se njerëzit ekspozohen ndaj një rangu të limituar të perspektivave dhe si pasojë më pak i pranojnë pikëvështrimet e tjera.
- Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies: përdorimi i AI për qëllime propagandistike ka mundësi më të medha që të fshehet dhe është vështirë të zbulohet. Mungesa e transparencës në mënyrën se si sistemet e IA e gjenerojnë dhe shpërndajnë informatën e bëjnë më të vështirë që të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre grupet që e perdorin atë.
- Cenimi i demokracisë: manipulimet e qëllimshme të opinionit publik përmes propagandës mund t'i dëmtojnë proceset demokratike dhe institucionet. Nëse njerëzit nuk kanë mundësi të qasjes në informacion të saktë, vazhdimisht ekspozohen ndaj narracioneve të manipuluara, bëhet shumë e vështirë për ta që të marrin vendime të drejta në zgjedhje apo kur angazhohen në diskurse politike.
- Deepfakes dhe mediat sintetike: algoritmet e IA mund të gjenerojnë materiale të rreme por mjaft bindëse, siç janë videot e manipuluara, imazhet, apo audio që është pothuajse e pamundur të dallohen se nuk janë autentike. Përmes këtyre mund të përhapen informata të rreme apo të krijohen evidenca të fabrikuara, duke e dëmtuar edhe më tutje besimin në media dhe në diskursin publik.
- Cenimi i privatësisë: propaganda shpesh mbështetet në grumbullimin dhe analizimin e sasive të mëdha të të dhënave personale për të targetuar individë përmes mesazheve specifike. Kjo ngritë shqetësime të mëdha për qështje të privatësisë meqë informatat personale të individëve mund të keqpërdoren pa miratimin e tyre.
- Manipulimi i sentimentit publik dhe vendimmarrjes: propaganda mund të manipulojë sentimentin publik duke nënvizuar në mënyrë selektive informacione të caktuara. Kjo e ndikon opinionin publik, vendimet politike, madje edhe rezultatet e zgjedhjeve, potencialisht duke dëmtuar procesin demokratik.
- Konfliktet ndërkombëtare dhe lufta e informacionit: shtetet dhe akteret politikë mund të shfrytëzojë teknikat e propagandës si mjete lufte në atë që quhet lufta e informacionit, me synim që të manipulojnë dhe destabilizojnë qeveritë, shoqëritë, dhe zgjedhjet në vende tjera. Kjo mund të ketë pasoja të mëdha për relacionet ndërkombëtare dhe stabilitetin gjeopolitik.
Këto probleme nuk janë karakteristike vetëm për inteligjencën artificiale, propaganda dhe manipulimi ka qenë edhe është pjesë e historisë njerëzore vazhdimisht, por tani përdorimi i teknologjisë ka potencial që këto ti zhvendosë në një nivel tjetër. Shpresoj që njerëzimi të arrijë ti adresojë këto rreziqe në atë mënyrë që të minimizohet dëmi i tyre potencial dhe t'i orientojnë në atë që është e dobishme për njerëzimin.
Comments
Post a Comment