15 paradokset e Mark Mansonit
Mark Manson është person që mbahet për psikolog, aktiv në sferën e zhvillimit personal, është autor i dy librave me tituj pak sa të çuditshëm - në të cilët e lëshon siç thonë F-bombën mu në tituj. Nuk do t'i përmend librat këtu për shkaqe praktike, kush i di, i di. Megjithatë, pavarësisht mënyrës se si shprehet Manson, shpeshherë ka disa mesazhe të rëndësishme për të thënë. Në vazhdim janë disa nga "paradokset që do t'ua ndryshojnë jetën" - siç thonë ai - që i elaboron në një prej videove në kanalin e tij në Youtube, që mua më zgjuan vëmendje.
(Kush përton me lexu në vazhdim çka kam shkrujt unë, mundet me kliku linkun në fund të postimit me e dëgju direkt Markun :) )
Paradoks është diçka kontradiktore apo e pasaktë në dukje por e vërtetë apo e saktë kur analizohet më me kujdes.
Paradoksi #1 (Shoqëria) - Sa më shumë përpiqesh me i ba njerëzit me t'dashtë, aq më pak kanë me të dashtë.
Sepse në psikologjinë njerëzore gjatë komunikimit, më shumë ka rëndësi preteksti i asaj që themi sesa teksti. Nuk ta vënë veshin shumë çka thua, por pse e thua! Kjo bën pastaj që lajkat për like-a nuk sjellin shumë like-a.
Paradoksi #2 (Suksesi) - Sa ma shumë dështon, aq ma shumë ke gjasa me pasë sukses.
Mënyra se si bahesh i aftë për një punë është duke u mësu me e ba mirë atë punë, e mënyra se si mësohesh me e ba mirë atë punë është duke e ba punën keq - derisa të mësohesh. Kështu që, rruga drejt suksesit shpeshherë kalon nëpërmjet dështimeve.
Paradoksi #3 (Frika) - Sa ma shumë i frikësohesh një pune, ndoshta pikërisht atë punë duhesh me e ba.
Punët të cilat janë më të rëndësishmet për ne në jetë, zakonisht na frikësojnë ma se shumti, sepse kanë ndikim të madh në identitetin tonë dhe përceptimin që kemi për vlerat tona. Mirëpo pikërisht në ato duhet të fokusohemi.
Paradoksi #4 (Personaliteti) - Sa më shumë e urren një tipar tek dikush, aq më shumë ka gjasa që pikërisht atë tipar e ke vetë, e mundohesh me e largu prej vetës.
Carl Jung e quan këtë tendencë - hije. Gjërat që i urrejmë tek dikush tjetër janë ato gjëra që urrejmë t'i pranojmë se i kemi edhe vetë.
Paradoksi #5 (Lidhjet) - Sa më të lidhur që jemi me botën, aq ma të izoluar ndjehemi.
Në epokën e internetit ku për secilën temë diskutojnë me mijëra persona, në njëfarë mënyre njeriu ndjehet i parëndësishëm, i padobishëm, i panevojshëm - si rrjedhojë, i vetmuar, nga kjo perspektivë.
Paradoksi #6 (Lumturia) - Nuk mund të kesh një lidhje të lumtur me dikë tjetër nëse nuk je i lumtur me veteveten.
Kjo është sepse kur ti nuk je i lumtur me veteveten, atë boshllëk përpiqesh ta plotësosh përmes dikuj tjetër. Duke u bërë i varur e i lidhur për atë person dhe kjo gjë zakonisht nuk funksionon. Pra, para së gjithash gjeje lumturinë me veteveten.
Paradoksi #7 (Dituria) - Sa më shumë që mëson, e kupton sa pak di.
Kjo spjegohet me analogjinë e rrethit të dijes, sa ma i vogël është rrethi yt i dijes aq më i vogël është kufiri i atij rrethi me gjërat që nuk i di. Kur rrethi i dijes tënde zgjërohet, zgjërohet edhe kufiri i tij me gjërat që nuk i di.
Paradoksi #8 (Saktësia) - Sa më i bindun që je se e ke mirë, aq ma shumë ka gjasa që e ke gabim.
Efekti Dunning-Kruger - Sa ma pak ekspertizë që ka dikush në një fushë, aq më i sigurtë do të jetë në bindjen e tij. Apo thënia e Bertrand Russell - krejt problemi me botën sot është se budallenjtë dhe fanatikët janë gjithnjë tepër të sigurtë me veteveten, e njerëzit e urtë plotë me dyshime.
Paradoksi #9 (Dobësitë) - Sa më i sinqertë që je me të metat tua, aq më shumë njerëzve ju dukesh i përkryer.
Është interesante kjo, sepse tregon se njerëzit e vlerësojnë dhe e shohin anën humane tek ai që në vend të mburrjes e pranon ndonjë dobësi apo të metë që ka.
Paradoksi #10 (i zgjedhjes) - Sa më shumë mundësi zgjedhjesh që ke, aq më i pakënaqur do të jesh me secilën prej tyre.
Shpeshherë me ka rastisur me i dëgju njerëzit duke thënë - përpara kemi qenë më të varfër, nuk kemi pasë shumë, mirëpo kemi qenë të lumtur; ndërsa sot, i kemi të gjitha por nuk jemi të lumtur! E po ky është problemi pra, paradoksi i zgjedhjes që spjegohet në psikologji. Sa më shumë mundësi zgjedhjesh që ke aq më i palumtur je.
Paradoksi #11 (Marrëdhëniet) - Sa më shumë që e sforcon një lidhje me një person, aq më shumë ka gjasa të ndahesh prej tij/saj.
Dashnia nuk shkon me zor. Emocionet nuk mund t'ia imponosh as vetës se lëre më tjetrit, emocioneve mundesh veç të i dorëzohesh.
Paradoksi #12 (Vetëvetja) - Sa më shumë që e do vetën aq ma shumë mundesh me i dashtë të tjerët, sa më pak që e do vetën aq ma pak do ti duash të tjerët.
Kjo i bie se kur nuk e falë vetën, nuk i falë as të tjerët; kur nuk e toleron veten nuk i toleron as të tjerët; kur e shtrëngon vetën ke me i shtrëngu edhe të tjerët; kur nuk e kënaq veten nuk ke me i kënaq as të tjerët; e kështu me radhë. Prandaj, njeriu duhet me e disciplinu vetën por ndonjëherë duhet edhe me e toleru, falë, dashtë edhe vetën.
Paradoksi #13 (Rrezikimi) - Sa më pak friksohesh që të vdesësh aq ma pak do të frikësohesh të jetosh.
Nëse frikësohesh me rreziku, nuk ke me e jetu jetën tënde. Në këtë kuptim është kjo, nëse nuk je i gatshëm me e rreziku deri edhe jetën për me e jetu jetën ashtu si ti do; nuk ke me pasë mundësi me e jetu jetën ashtu si ti do.
Paradoksi #14 (Pasiguria) - E vetmja gjë e sigurtë është pasiguria.
Nuk ka asgjë të sigurtë, lidhet me paradoksin paraprak, që në jetë për çdo vendim nevojitet guxim, sepse nuk ka të sigurtë asgjë.
Paradoksi #15 (Ndryshimi) - Konstantja e vetme është ndryshimi.
Në jetë gjithçka është në lëvizje dhe ndryshimi është i pashmangshëm.
Comments
Post a Comment